Thaçi: Askush nuk mund ta rishkruajë historinë e Kosovës

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, shkroi të premten në rrjetet sociale se "askush nuk mund ta rishkruajë historinë e Kosovës", në një postim te shoqëruar më një fotografi të emblemës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Deri tani ky është edhe reagimi i tij i parë që kur të mërkurën zyra e Prokurorit të Posaçëm në Hagë, njoftoi se ka ngritur akuza ndaj presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës Kadri Veseli, si të dyshuar për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte ndër të cilat, vrasje të paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura. Sipas prokurorit akuzat janë ngritur më 24 prill.

Your browser doesn’t support HTML5

Thaçi: Askush nuk mund ta rishkruajë historinë e Kosovës

Publikimi i akuzave të pakonfirmuara, bëri që të dështojnë planet për një takim në Shtëpinë e Bardhë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, meqë presidenti Thaçi ndërpreu udhëtimin dhe të premten po kthehet në shtëpi.

Më pas edhe kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, tha se nuk mund të marrë pjesë për shkak të situatës së re.

Lexoni edhe këtë Anulohet takimi i së shtunës Kosovë - Serbi në Shtëpinë e Bardhë

Ndërmjetësuesi i takimit tashmë të anuluar, Richard Grenell, i dërguar i posaçëm i presidentit Donald Trump, tha se po pret përcaktimin e kohës për një takim të radhës.

Publikimi i akuzave nxiti reagime në shkallë të gjerë në Kosovë dhe kritika të rrepta ndaj prokurorisë së posaçme.

Analistët thanë se situata e re ka vënë në pikëpyetje rifillimin e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ndonëse Bashkimi Evropian po ngulë këmbë se ato duhet të rifillojnë muajin që vjen.

Të premten në Bruksel, presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç tha se pret që muajin e ardhshëm të intensifikohen bisedimet, ndërsa kërkoi që Serbia të jetë e përmbajtur sa i përket publikimit të akuzave ndaj presidentit të Kosovës Hashim Thaçi.

"Gjëja më e rëndësishme për ne është të jemi të përmbajtur. Ne e dimë që kanë ndodhur krime të tmerrshme kundër serbëve, mirë që ekziston drejtësia dhe kjo është në rregull dhe lajm i mirë. Në çdo gjë tjetër, duhet të tregojmë përmbajtje, pasi kështu mbrojmë popullin serb në Kosovë nga çdo dhunë, incident dhe sulm", tha ai.

Ai nënvizoi se është me rëndës që të avzhdojnë përpjekjet për të biseduar për temat që janë me rëndësi jetike dhe të gjendet një kompromis me shqiptarët në fusha të ndryshme të jetës shoqërore.

Presidenti i Serbisë po qëndron në Bruksel ku po takohet me zyrtarët më të lartë të Bashkimit Evropian, një ditë pas vizitës së kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti.

Për datën 10 korrik është paralajmëruar që në Paris palët të bisedojnë në një takim të organizuar nga presidenti francez Emmanuel Macron. Por, ende mbetet e paqartë nëse ky takim do të mbahet për shkak të zhvillimeve të brendshme politike në Kosovë pas publikimit të akuzave që duhet të konfirmohen apo të hidhen poshtë brenda gjashtë muajsh, që nga ngritja e tyre më 24 prill të këtij viti.

Lexoni edhe këtë BE: Bisedimet Kosovë - Serbi duhet të vazhdojnë në korrik