Thaçi: Nuk do të ketë “Republika Serpska” në veri

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, i tha Zërit të Amerikës së krijimi i asociacionit të komunave serbe, nuk nënkupton trajtim të posaçëm për veriun
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se krijimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë është paraparë me dokumentet në fuqi në vend dhe nuk nënkupton kurrfarë trajtimi të veçantë për serbët në veri. Në intervistën dhënë korrespondentit tonë në Prishtinë, Besim Abazi, kryeministri Thaçi flet për bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, të cilat do të vazhdojnë të hënën më 4 mars.

http://www.youtube.com/embed/N2BswnbJqc4
Zëri i Amerikës: Zoti Kryeministër, të hënën ju do të takoheni me kryeministrin serb Ivica Daçiç, për të konkretizuar siç keni thënë marrëveshjet e arritura në parim. Për çka jeni marrë vesh konkretisht?

Hashim Thaçi: Unë dua të besoj që do të arrihet një marrëveshje parimore, një marrëveshje që definitivisht normalizon marrëdhëniet mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë. Dëshiroj t’i falënderoj shtetet e BE-së dhe SHBA-të për mbështetjen e tyre të fuqishme në këtë proces. I gjithë përkushtimi ynë është që të kemi normalizim të gjendjes në veri të Kosovës por edhe normalizim të marrëdhënieve ndërshtetërore dhe në mes të popujve tanë. Mendoj që ajo që është diskutuar në Bruksel në takimin e fundit, ka qenë një kthesë në kuptimin pozitiv, sepse Serbia është detyruar të pranojë më në fund shpërbërjen e plotë të të gjitha strukturave paralele të sigurisë, duke nënkuptuar këtu mekanizmat e MUP-it (MPB) serb të instaluar në veri të Mitrovicës, gjithashtu edhe mekanizmat e inteligjencës, BIA-s serbe. Do të përfshihet në një periudhë të caktuar se kur do të shpërbëhen dhe kur do të dëbohen disa që janë të dërguar nga Serbia në atë pjesë të Kosovës. Kështu që, ky është një mesazh i mirë. Në të njëjtën kohë jemi pajtuar verbalisht dhe Serbia është detyruar që të pranojë domosdoshmërinë e funksionimit të plotë të sistemit të drejtësisë sipas ligjeve të Kosovës dhe kjo do të ndodhë në të ardhmen e afërt. Do të hapen edhe Gjykatat komunale në dy komuna tjera në veri, siç janë gjykatat komunale nëpër komuna tjera të Kosovës, por gjithmonë sipas kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës. Gjithashtu, kemi diskutuar në mënyrë shumë serioze, atë që garanton edhe dokumenti i presidentit Ahtisaari, kushtetuta e Kosovës, ligji për vetëqeverisjen lokale, për formimin e një trupe, apo asociacioni të komunave me shumicë serbe që do të ishte një trupë që do të koordinonte punën e këtyre komunave, por gjithmonë të zgjedhur në mënyrë indirekte, pra të përbëhet nga kryetarët e komunave.

Zëri i Amerikës: A e rrezikon ky asociacion funksionimin e shtetit të Kosovës?

Hashim Thaçi: Kjo trupë, apo ky mekanizëm është i garantuar me dokumentin e Ahtisaarit, më kushtetutën e Kosovës. Është një mekanizëm integrues i komunave me shumicë serbe. Në po pretendojmë të ndërtojmë një vend të ri, një vend demokratik, me perspektivë evropiane dhe në asnjë rrethanë nuk do të lejojmë formimin e mekanizmave regjional, por integrues. Dhe unë i siguroj qytetarët e Kosovës se gjithçka do të jetë e bazuar në kushtetutën e Kosovës dhe ligjin për vetëqeverisjen lokale. Asociacioni mund të ketë të drejtat dhe ka të drejtat për të komunikuar si komuna mes veti, për të shkëmbyer përvoja për ujësjellës, për ndërtimin e shkollave, për ndërtimin e kopshteve, për qeverisje më të mirë, por në asnjë rrethanë nuk do të ketë ndonjë mandat legjislativ apo ekzekutiv, apo që të ketë zgjedhje të drejtpërdrejta. Këto janë vijat e kuqe që i kamë prezantuar edhe në Bruksel dhe që do t’u qëndrojë besnik edhe në takimin ardhshëm. Prandaj Serbia do të jetë e detyruar të pranojë realitetin e ri që do të krijohet, që do të funksionojë në bazë të legjislacionit të Republikës së Kosovës.

Zëri i Amerikës: Ju keni kërkuar mbështetjen e zëvendëssekretarit amerikan të shtetit William Burns për të shmangur dhënien e më shumë përgjegjësive këtij asociacioni. A jeni nën trysni për një gjë të tillë?

Hashim Thaçi:Unë dëshiroj të falënderoj zëvendëssekretarin Burns për telefonatën e tij, për inkurajimin e tij në emër të qeverisë së SHBA-së, presidentit Obama, zv/presidentit Biden dhe sekretarit John Kerry. Edhe në vizitën e sekretarit amerikan në Evropë do të përcillet me theks të veçantë edhe tema për Kosovën, ne veçanti në takimet që do të zhvillohen në Berlin dhe Londër. Sot, normalizimi i gjendjes në Kosovë, funksionimi i institucioneve demokratike në veri të Kosovës, normalizimi i marrëdhënieve në mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë, është në top-agjendën e politikës botërore edhe në Bruksel edhe në SHBA. Mendoj se kjo është me interes për Kosovën, sepse do të përshpejtohet edhe procesi i integrimit të Kosovës si vend i pavarur dhe sovran por edhe i Serbisë në strukturat e NATO-s dhe Bashkimit Evropian. Prandaj, ky interesim pozitiv i BE-së dhe SHBA-ve, duhet të kurorëzohet me një marrëveshje ndërshtetërore Kosovë - Serbi, me garancën e plotë të BE-së dhe mbështetjen e fuqishme të SHBA-së. Zv/sekretari Burns, mbrëmë në bisedën që kam zhvilluar, ka rikonfirmuar edhe njëherë se SHBA-të qëndrojnë fuqishëm në mbështetje të konsolidimit të shtetit të Kosovës dhe normalizimit të marrëdhënieve Kosovë – Serbi, pra të një angazhimi për fqinjësi të mirë, si parakusht i domosdoshëm për evropianizimin e gjithë rajonit.

Zëri i Amerikës: A ka pasur kërkesa ndaj jush që këtij asociacioni t’i jepen më shumë fuqi ekzekutive që në Prishtinë është vlerësuar si synim për krijimin e një Republike serbe në atë zonë?

Hashim Thaçi: Unë i kuptoj opinionet e ndryshme dhe i respektoj ato, por në të njëjtën kohë jam shumë i drejtpërdrejtë kur ato opinione janë të gabuara. Këto pretendime për të prezantuar rrejshëm procesin e normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, janë thjeshtë ta pa argumentuara, janë plotësisht të paqëndrueshme, janë nga mungesa e informatave, me gjithë transparencën e plotë që kemi prezantuar gjithmonë. E ritheksoj edhe njëherë, do të jetë një asociacion i komunave me shumicë serbe që garanton kushtetuta e Kosovës dhe dokumenti i presidentit Ahtisaari. Në asnjë rrethanë nuk do të ketë dhe as që është duke kërkuar dikush ndonjë Republika Serpska, autonomi, status special, apo këmbim territoresh. Këto janë ëndrra të Serbisë, që unë nuk mund t’i ndalojë që të ëndërrojnë, por janë të parealizueshme në Republikën e Kosovës. Për Kosovën, do të ketë normalizim të gjendjes, funksionalizim të plotë në çdo cep të territorit të Republikës së Kosovës, me mbështetjen e plotë edhe të NATO-s edhe të EULEX-it për krijimin e ambientit të sigurisë, lëvizjes së lirë, rendit dhe ligjit dhe pastaj edhe zgjedhjet e lira, lidership legjitim dhe investime socio – ekonomike.

Zëri i Amerikës: Kush do ta zbatojë në veri synimin për shpërbërjen e strukturave paralele, duke parasysh kundërshtimin e përfaqësuesve serbë në zonë?

Hashim Thaçi: Në konkluzionet apo marrëveshjet përfundimtare që do të arrihen në Bruksel, do të përfshihen qartë edhe mekanizmat implementues, periudhat e qarta kohore dhe në të njëjtën kohë edhe plani veprues. Dhe unë do të kërkoj të kemi angazhim të KFOR-it, por para së gjithash të EULEX-it dhe mekanizmave institucional shtetëror të Republikës së Kosovës.

Zëri i Amerikës: A është 4 marsi ditë kur ju i prisni këto marrëveshje?

Hashim Thaçi: Unë jam me optimizëm se gjërat do të lëvizin në drejtim të duhur. Nuk do të flisja me datë se kur do të arrihet kjo marrëveshje. Por, ajo çka mbes me shpresë është se do të arrihet një dakordim sa u përket çështjeve që janë diskutuar dhe në të, të përfshihen më në fund edhe çështjet e telekomunikacionit, transportit dhe energjisë. Ndërsa marrëveshja për IBM-në ka filluar të funksionalizohet në kufijtë mes Kosovës dhe Serbisë, kështu që të shohim dhe ne do të sillemi në mënyrë shumë të përgjegjshme, gjithmonë duke respektuar kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, por edhe standardet më të larta evropiane dhe për krijimin e kushteve sa më të mira, sa më të sigurta, sa më atraktive për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, që të jetojnë në një atdhe të përbashkët, në një vend evropian, shumetnik.

Zëri i Amerikës: Zoti Kryeministër. Serbia në fund të procesit llogaritë të marr datën e fillimit të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Por, cilat janë përfitimet e Kosovës nga ky proces?

Hashim Thaçi: Kosova është e fundit që ka fituar lirinë dhe ka shpallur pavarësinë në rajon dhe natyrisht se është disa hapa prapa në krahasim me vendet tjera. Por, Kosova po lëvizë me hapa të sigurt drejt perspektivës evropiane, procesit të liberalizimit të vizave dhe temë me theks të veçantë ka qenë në takimin që kam zhvilluar me presidentin Jose Manuel Barroso, presidentin Herman van Rompuy dhe zotin Stefan Fule, çështja e liberalizimit të vizave, marrëveshja për MSA. Në të njëjtën kohë do të vazhdohet që të integrohet Kosova në të gjithë mekanizmat rajonal e ndërkombëtarë dhe në të ardhmen e afërt, pse jo edhe ulësen në OKB. Ndërsa edhe Serbia e ka agjendën e vet evropiane. Unë mendoj se sa më shpejt që të lëvizin vendet e rajonit drejt perspektivës në NATO dhe BE, është në interesin e secilit shtet, që të mos e mbajmë peng njëri tjetrin por t’i lehtësojmë rrugën evropiane njëri tjetrit.

Zëri i Amerikës: A ka gjasë që në fund të këtij procesi, të llogaritet në ulëse në OKB?

Hashim Thaçi: Kosova do të jetë pjesë e NATO-s, BE-së dhe OKB-së. Ne jemi duke punuar shumë seriozisht me të gjithë partnerët ndërkombëtarë dhe Kosova, definitivisht pas normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë ka shanset ideale që të fitojë shumë shpejt edhe ulëse në OKB.

Zëri i Amerikës: Ka pasur ide se autonomia për serbët në veri do të mund të ishte njëfarë shkëmbimi për njohjen nga Serbia dhe kjo t’i mundësojë Kosovës ecjen drejt OKB-së...

Hashim Thaçi: E ritheksoj. Në asnjë rrethanë, as që është diskutuar dhe as që do të lejojë të diskutohet për ndonjë autonomi. Kosova do të funksionojë si një shtet i pavarur dhe sovran, me integritetin territorial të njohur dhe të pranuar ndërkombëtarisht, si një njësi unike shtetërore, funksionale dhe integruese me të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët e Kosovës. Nuk do të ketë ndonjë tretman të veçantë ndonjë pjesë e territorit të Kosovës.

Zëri i Amerikës: Kritikët ju kujtojnë se keni thënë që nuk do të bisedoni me Serbinë për veriun e Kosovës, ndërsa sot po detyroheni të bisedoni. Si ju përgjigjeni?

Hashim Thaçi: Ne po bisedojmë për fqinjësi të mirë dhe unë e respektoj në plotni rezolutën e Kuvendit të Kosovës për normalizimin e marrëdhënieve me shtetit të Kosovës dhe Serbisë. Prandaj, gjithë ajo çfarë jam duke bërë në këtë moment, jam duke i kryer obligimet e mia kushtetuese, ligjore dhe përgjegjësitë dhe besimin që kam marrë nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, por edhe mandatin ekzekutiv si kryeministër i vendit.