Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi tha sot në Prishtinë se Kosova, nga jugu në veri, është një territor integral
Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi tha sot në Prishtinë se Kosova më shumë se asnjëherë tjetër është faktor i rëndësishëm i paqes dhe qëndrueshmërisë në rajon, ndërsa ritheksoi mbështetjen për tërësinë tokësore të saj. Ai i bëri këto komente në kuadër të vizitës zyrtare në Kosovë, vizitë kjo e cila ndodhë në përmbyllje të mandatit të tij
Presidenti Topi u prit me nderimet më të larta shtetërore nga presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila vuri theksin në mbështetjen e Shqipërisë për proceset politike në Kosovë.
“Marrëdhëniet midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë janë marrëdhënie shembullore dhe si dy shtete sovrane dhe të pavarura, kanë një qëllim të përbashkët në rrugën drejt integrimeve euroatlantike, si dhe një përkushtim të vazhdueshëm në angazhimin e mëtutjeshëm të të dy shteteve tona në gjetjen e formave për zgjerimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat që janë me interes të të dy shteteve tona”, tha presidentja Jahjaga.
Presidenti Topi tha se Shqipëria po e ndjek me vëmendje procesin e përmbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur të Kosovës.
“Gjithashtu, kemi ndjekur me shqetësim situatën në veri të Kosovës, aty ku ka pasur tentativa të pushteteve paralele, të sponsorizuara nga qarqe të caktuara. Por, jam i bindur se institucionet e Kosovës do të dinë të ruajnë dhe të konsolidojnë shtetin ligjor në Kosovë, në një territor që nga lindja në perëndim, nga jug në veri, është një territor integral, një territor që ofron të gjitha mundësitë e barabarta për të gjitha pakicat, për të gjithë popullin, me të gjitha standardet evropiane dhe ku e ardhmja e Kosovës jam i bindur se do të jetë në Evropë”.
Në një fjalim në Parlamentin e Kosovës, presidenti Topi, duke folur për përvjetorin e pavarësisë së Shqipërisë dhe zhvillimet në Kosovë, vuri theksin tek mbështetja amerikanë për kombin shqiptar.
http://www.youtube.com/embed/YH4KJ36wcIw
“Kombi shqiptar u është përjetësisht mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për ndihmën dhe rolin e tyre përcaktues në ekzistencën e shtetit shqiptar, në realitetin e Kosovës së re dhe në progresin e përbashkët demokratik. Mirënjohja e jonë shkon edhe për vendet udhëheqëse të Bashkimit Evropian dhe NATO-s për mrekullinë e vitit 1999, ndalimin e represionit serb dhe jetësimin e një Kosove të lirë, të pavarur dhe demokratike”, tha presidenti Topi.
Kryetari i Parlamentit të Kosovës Jakup Krasniqi tha se Shqipëria ka qenë historikisht edhe në momentet më të vështira, mbështetëse e Kosovës, e veçanërisht gjatë përpjekjeve dhe luftës së saj të gjatë për liri dhe pavarësi.
“Sot, Shqipëria, anëtare e Aleancës Veri-Atlantike, e cila po përçon mesazhe sigurie në rajon, angazhohet seriozisht në përpjekjet e vendeve të tjera të rajonit për t’iu bashkëngjitur kësaj Aleance dhe ndihmon në zhvillimin e urave të komunikimit. Nisur nga ky fakt, shfrytëzoj rastin që të kërkoj nga Ju, z. President, dhe mbarë institucionet më të larta të Shqipërisë, që të angazhoheni edhe më tej fuqimisht në mbështetjen e përpjekjeve të Kosovës për anëtarësimin e saj në këtë Aleancë, e cila kontribuoi në mbrojtjen e njerëzimit në Kosove dhe mundësoi fillimin e rrugëtimit te Kosovës drejt lirisë dhe pavarësisë së saj”, tha zoti Krasniqi.
Presidenti Topi dhe mikpritësit e tij thanë se angazhohen për fqinjësi të mirë me të gjitha vendet e rajonit përfshirë edhe Serbinë. Ata thanë se përbërja ne re e pushtetit në Serbi është zgjedhje e popullit serb, por u kanë bërë thirrje autoriteteve të Beogradit që të pranojnë realitetin e ri me njohjen e Kosovës dhe të orientohen në rrugën e integrimeve Evropiane.