Lëvizja Vetëvendosje i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për shqyrtimin e dy ligjeve të miratuara më 20 prill nga Parlamenti i Kosovës, ligjin për qendrën historike të Prizrenit dhe Ligjin për Hoçën e Madhe, një fshat me shumicë serbe në rrethinën e Prizrenit.
Kjo lëvizje argumenton se të dyja ligjet janë anti-kushtetuese. Ligji për qendrën historike të Prizrenit parashikon që të gjitha veprimtaritë në qendrën e këtij qyteti përfshirë ndërtimet e shërbimet komunale, të rregullohen në mënyrë të veçantë, nga një mekanizëm i posaçëm, që do të përbëhej nga komunitetet fetare, komunitetet etnike dhe shoqëria civile.
Që në projektin e parë ai kishte nxitur reagime të shoqërisë civile dhe një pjese të partive politike sipas të cilave, ai i jep një zë më të fuqishëm Kishës Ortodokse në Kosovë. Të njëjtin shqetësim ngre Vetvendosje edhe në lidhje me ligjin ai për Hoçën e Madhe.
Sipas lëvizjes Vetëvendosje të dyja ligjet e shkelin Kushtetutën në pikat që kanë të bëjnë me karakterin laik të shtetit të Kosovës dhe paanshmërinë ndaj çështjeve të besimeve fetare, barazinë para ligjit si dhe parimet e përgjithshme të vetëqeverisjes lokale. Miratimi i këtyre ligjeve është mbështetur nga ambasada amerikane, dhe mekanizmat e tjerë ndërkombëtarë të cilët vlerësojnë se me këtë veprim “Parlamenti i Kosovës ndërmori veprimet për ta lëvizur shtetin më afër qëllimit të përfundimit të pavarësisë së mbikëqyrur”.
Kosova shpalli pavarësinë në shkurt të vitit 2008, ndërsa një numër shtetesh që e kanë njohur atë, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe vendet kryesore të Bashkimit Evropian, themeluan grupin drejtues ndërkombëtarë për Kosovën dhe vunë zotin Pieter Faith në postin e mbikëqyrësit të pavarësisë, e cila vazhdon të kundërshtohet ashpër nga Serbia. Grupi Drejtues Ndërkombëtar pret që deri në shtator t’i jap fund mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës.