Zyrtarë të lartë evropianë përshëndesin institucionet e reja në Kosovë

  • Leonat Shehu
    Prishtinë

Zyrtarë të lartë evropianë përshëndesin institucionet e reja në Kosovë

Qeveria e re e Kosovës u mblodh sot për herë të parë pasi u zgjodh mbrëmë në Parlamentin e Kosovës pas një votimi të tensionuar për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit, Behxhet Pacolli.

Votimet e mbrëmshme u zhvilluan pa pjesëmarrjen e opozitës, e cila tha se është shkelur kushtetuta e Kosovës duke paralajmëruar përdorimin e siç është thënë të gjithë instrumenteve demokratike për të përballur situatën e re të krijuar në vend. Zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, që është partia më e madhe opozitare, paralajmëruan mundësinë që të kërkojnë një opinion të Gjykatës Kushtetuese.

Parlamenti i Kosovës zgjodhi me 62 vota për, 4 kundër dhe një votë të pavlefshme, Behxhet Pacollin, kryetarin e deritashëm të Aleancës Kosova e Re, në postin e presidentit të Kosovës. Ai u zgjodh në raundin e tretë të votimeve pasi që në dy raundet e para ai mori 54, përkatësisht 58 vota.

Pas kësaj pasoi kërkesa e Partisë Demokratike të Kosovës për një këshillim gjë që u kundërshtua nga kryetari i Parlamentit Jakup Krasniqi, i cili tha se pushimi ndërmjet raundeve të votimeve është kundër kushtetutës dhe në funksion të trysnisë ndaj deputetëve. Opozita, por edhe një numër deputetësh të Partisë Demokratike thanë se zoti Pacolli, nuk siguron unitetin e popullit siç është përcaktuar me kushtetutë. Ky i fundit në ditën e parë të punës, tha se populli është i bashkuar.

“Sigurisht, populli i Kosovës është i bashkuar dhe do të jetë i bashkuar”, - tha Presidenti Pacolli.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, qeveria e të cilit mori 65 vota në Parlament, i bëri thirrje opozitës që të marrë pjesë në institucionet e Kosovës. Ai tha se ndër përparësitë e kësaj qeverie është integrimi në Bashkimin Evropian dhe në NATO, dhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Po ashtu, kryeministri Thaçi u angazhua edhe për bisedimet me Serbinë:

“Dialogu që do të fillon në të ardhmen e afërt, do të përmbyllet me një jetë më të mirë për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe rajonit, për një të ardhme më të mirë evropiane, për një të ardhme më të mirë për të dy vendet dhe popujt tanë dhe me njohjet reciproke që do të ndodhin”, - tha kryeministri Thaçi.

Përkushtimin e qeverisë së re ndaj dialogut mes Prishtinës e Beogradit e kanë mirëpritur edhe përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, dhe Komisionari për Zgjerim Shtefan Füle, të cilët kanë mirëpritur edhe zgjedhjen e institucioneve të reja të Kosovës dhe zgjedhjen e Presidentit.

Në një deklaratë të dy zyrtarëve të lartë të Bashkimit Evropian shprehet gatishmëria për bashkëpunim për përmirësimin e jetës së qytetarëve të Kosovës, përmbushjen e ardhmërisë evropiane të Kosovës, forcimin e administratës, vendosjes së sundimit të ligjit dhe integrimin e të gjitha komuniteteve.

"Ne mirëpresim përkushtimin e qeverisë së re ndaj dialogut mes Prishtinës e Beogradit. Këtu ne gjithashtu do të punojmë së afërmi me Kryeministrin dhe ekipin e tij të ri," thuhet në deklaratën e zyrtarëve të lartë të Bashkimit Evropian.