Kosova, tridhjetë vjet pas demonstratave të vitit 1981

Kosova, tridhjetë vjet pas demonstratave të vitit 1981

Një revoltë studentësh të Universitetit të Prishtinës e fillimit të marsit të vitit 1981, për pak ditë u shndërrua në një lëvizje në shkallë të gjerë dhe pranvera e atij viti ishte periudhë demonstratash të mëdha në të cilat u kërkua që Kosova të kishte statusin e Republikës. Tridhjetë vjet më vonë, Kosova ka mbushur tre vjet të pavarësisë së saj, ndërsa disa nga protagonistët e atyre ngjarjeve thonë se ato shënuan edhe fillimin e shkëputjes së saj nga ish Jugosllavia.

Hydajet Hyseni dhe Bajram Kosumi ishin në mesin e drejtuesve të demonstratave të vitit 1981, që sipas tyre bashkë me lëvizjen polake të solidaritetit shënuan edhe fillimin e rënies së bllokut lindor

Pranvera 81 siç janë quajtur me të drejtë protestat, demonstratat dhe veprimtaritë tjera të vitit 1981, përbën një kthesë të rëndësishme në historinë e re të Kosovës dhe është vazhdimësi e drejtpërdrejtë e përpjekjeve të mëhershme. Është kthyer pastaj rrjedhimisht edhe në një bazament të fortë edhe të përpjekjeve të mëvonshme, që kulmuan me epopenë fitimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha zoti Hyseni.

Viti 1981, faktikisht paraqet një vit kufi, një vit kthese midis asaj që mund te quhet “Kosovë jugosllave”, “Kosovë e Jugosllavisë” dhe Kosovës shqiptare, Kosovës së lirë, Kosovës së pavarur. Ky është një kufi, jo praktik, por në kuptimin filozofik, në kuptimin politik, në kuptimin ideologjik, është një ndarje e dy kohëve”, tha zoti Kosumi

Bashkë me lëvizjen “Solidarnost” në Poloni, pranvera shqiptare 81, është njëra nga lëvizjet më të fuqishme në Evropën lindore që më vonë u përfshi në proceset demokratizuese. Lëvizja. “Solidarnost” dhe “Pranvera shqiptare 81”, janë në një mënyrë dallëndyshe të këtyre proceseve demokratizuese, por natyrisht duke pasur vulën e vet. Derisa në Poloni dhe vendet tjera ishte kryesisht çështja e sistemit, e totalitarizmit, në Kosovë përveç kësaj ishte edhe plaga e pashëruar kombëtare, shovinizmi, robëria shoviniste. Prandaj, pranvera shqiptare në Kosovë ka një dimension më të gjerë dhe do të thosha autentik. Ishte demokratike në thelb, por ishte edhe çlirimtare”, theksoi zoti Hyseni.

Pas shtypjes me dhunë të demonstratave të pranverës së vitit 1981, autoritetet jugosllave filluan një periudhë të gatë ndjekjeje të organizatorëve dhe udhëheqësve të grupeve të fshehta. Sipas ish drejtuesve komunist të Kosovës, vetëm deri në vitin 1987, mbi 570 mijë shqiptarë kishin kaluar nëpër duart e sigurimit jugosllav, ndërsa deri nga fillimi i viteve të 90-ta mijëra shqiptarë ishin dënuar me 25 shekuj burg. Bajram Kosumi ishte student në kohën kur u burgos.

Ajo është koha e idealeve të mëdha, Faktikisht, ato janë kohë heroike. Unë flas tash për vete dhe njerëzit me të cilët kam bashkëpunuar atëherë. Ne kemi qenë të organizuar në grupe ilegale. Mblidheshim dhe dihej fare qartë se në momentin kur zbuloheshe nga Shërbimi sekret, do të dënoheshe me nga 10 vjet, 15 vjet burg, nuk do të dilje i gjallë nga burgu e të tjera. Por, ajo ka qenë koha kur ne si njerëz të ri, si elitë, të them kushtimisht, e brezit më të ri shqiptar, nuk mendonim se do të kishte forcë që mund ta ndalë projektin tonë dhe idenë tonë për lirinë e Kosovës”, tha zoti Kosumi.

Tridhjetë vjet më vonë, vlerësimi i ngjarjeve të vitit 1981 ende nuk është i plotë dhe kjo sipas zoti Hyseni është edhe pasojë e trajtimit që u është bërë këtyre ngjarjeve në të kaluarën.

Ka qenë e investuar shume falsifikim, shume trysni e tmerrshme edhe në studiuesit, hulumtuesit tanë dhe për pasojë ende ka njëfarë droje, njëfarë hezitimi për ta thënë tërë të vërtetën. Zor mund të gjenden lëvizje që janë më autentike, që janë më origjinale, që janë lëvizje tamam popullore, tamam çlirimtare, në thelb thellësisht demokratike”, tha zoti Hyseni.

Të cilësuara nga autoritetet e kohës si veprime kundërrevolucionare, demonstrata e vitit 1981, sipas protagonistëve ishin kulmimi i përpjekjeve të pa dhunshme politike në Kosovën e pasluftës së dytë botërore.