Të premten, Kosova fillon reformën e sistemit zgjedhor dhe ndryshimet e kushtetutës së saj. Parlamenti duhet të vendosë për formimin e komisioneve të përkohshme, të cilat do të merren me zbatimin e marrëveshjes së arritur ndërmjet udhëheqësve të Partisë Demokratike, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës Kosova e Re për këto reforma, marrëveshje kjo e cila mundësoi zhbllokimin e ngërçit politikë në fillim të këtij muaji dhe zgjedhjen e presidentes së vendit më 7 prill.
Po atë ditë parlamenti e miratoi atë marrëveshje në formë të rezolutës.
Kryetari i Parlamentit Jakup Krasniqi tha se kjo çështje do të jetë pikë e parë e punës në seancën e së premtes. Ndryshimet kushtetuese pritet të përfshijnë pjesën që ka të bëjë me zgjedhjen e presidentit të Kosovës që në të ardhmen duhet të zgjidhet më vota të drejtpërdrejta, për të shmangur problemet e deritashme.
Që nga shatori i vitit të kaluar, dy presidentë janë ndërruar për shkak të rënies ndesh me Kushtetutën. Kryetari i Parlamentit tha sot se ndryshimet janë vetëm plotësim i Kushtetutës aktuale.
“Unë mendoj që tendencat për të amandamentuar kushtetutën nuk e dëmtojnë dhe as nuk e zhvlerësojnë Kushtetutën e Republikës së Kosovës, por megjithatë e plotësojnë dhe i konkretizojnë çështjet që janë të nevojshme të ndryshohen. Nuk e dëmton kushtetutën amandamentimi i saj, përkundrazi e shtojnë modernizimin e saj”, tha zoti Krasniqi.
Nismën për përshpejtimin e formimit të komisioneve e ka marrë shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, sipas të cilit të dyja komisionet do të kenë nga nëntë anëtarë në të cilët Partia Demokratike dhe Lidhja Demokratike e Kosovës do të kenë nga dy përfaqësues, ndërsa partitë tjera nga një.
Sipas marrëveshjes komisionin për ndryshime kushtetuese e drejton pushteti ndërsa atë për reformën zgjedhore opozita.
“Arsyeja pse kemi qenë të angazhuar që kjo të ndodh është që të mos humbet kohë, sepse askujt nuk i konvenon që të humbet kohë në formimin e këtyre komisioneve dhe fillimit të punës së madhe që na pret edhe si deputet por edhe si shoqëri dhe të gjithë ata që do të jenë të integruar në këtë proces të ndryshimeve që priten të mos hupet kohë dhe sigurisht do t’i konvenonte vetëm atyre të cilët nuk do të dëshironin të ketë ndryshime në kuptimin pozitiv dhe ndryshimi që do të eliminonin ato të meta që kanë qenë, veçmas në ligjin zgjedhor dhe mënyrën e zgjedhjes së presidentit”, tha zoti Beqiri.
Ndryshimet kushtetuese dhe reformat në sistemin zgjedhor janë mbështetur edhe nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar që ndryshimet kushtetuese të jenë më të thella dhe në radhë të parë të mënjanojnë pjesën që i ndalon Kosovës bashkimin me Shqipërinë.
Marrëveshja, e cila që arritur me ndërmjetësimin e ambasadorit amerikan Kristopher Dell parasheh që zgjedhjet presidenciale të mbahen pas më se një viti, ndërsa ato parlamentare pas më se dy vjet e gjysmë.