Kosovë: Shkëmbim akuzash ndërmjet ish partnerëve të koalicionit qeverisës

  • Leonat Shehu

Kosovë: Shkëmbim akuzash ndërmjet ish partnerëve të koalicionit qeverisës

Lidhja Demokratike e Kosovës hodhi poshtë sot pohimet se kryetari i saj Fatmir Sejdiu ka kërkuar nga kryeministri Hashim Thaçi kundërshtimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese e cila pohoi e ish presidenti Sejdiu kishte shkelur kushtetutën. Një ditë më parë, kryeministri Thaçi në Kongresin e pestë të partisë së tij tha se nuk është pajtuar më kërkesën që t’i kundërvihet Gjykatës Kushtetuese.

“Nga unë u kërkua që të ketë solidaritet refuzues ndaj Gjykatës Kushtetuese. Unë nuk mund të merrja atë qëndrim. Nuk mund të merrja atë pozicion, të kundërshtoja një vendim të Gjykatës Kushtetuese. Prandaj këto ishin momenti i largimit apo marrjes së drejtimeve të ndryshme në mes shkelësit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe vullnetit, zotimit dhe parimit të respektimit të Kushtetutës së Kosovës dhe ligjeve të Kosovës”, theksoi zoti Thaçi.

Por pohimet e tilla u kundërshtuan sot Lidhja Demokratike e Kosovës. Ramë Manaj, sekretar i përgjithshëm i kësaj partie dhe ish zëvendëskryeministër tha se kjo nuk ka ndodhur kurrë.

“Për ne është e panjohur kjo, e pabesueshme dhe e paqëndrueshme”, tha zoti Manaj.

Ndërkaq, ish presidenti Sejdiu nëpërmjet një deklarate me shkrim ka theksuar se asnjëherë nuk ka kërkuar nga zoti Thaçi që të kundërshtojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese. E vetmja gjë që ka kërkuar Presidenti Sejdiu nga Kryeministri Thaçi ka qenë që ai publikisht të dëshmojë për marrëveshjen e përbashkët edhe me faktorin ndërkombëtar, për kuptimin thelbësorë të normës kushtetuese, që lidhet me pamundësinë e ushtrimit të një funksioni tjetër publik, apo në parti politike krahas, pozicionit të Presidentit të Republikës. Zoti Thaçi e ka pohuar se do ta bëjë një gjë të tillë, por kjo nuk ka ndodhur asnjëherë, thuhet në deklaratën e Lidhjes Demokratike të Kosovës, tërheqja e së cilës nga qeveria mund të çojë vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Përveç zgjedhjeve të përgjithshme kjo parti po përballet edhe procesin e zgjedhjeve të brendshme. Ndonëse deri tash zyrtarisht për postin e kësaj partie është kandiduar ish kryeministri i Kosovës në mërgim, Bujar Bukoshi, brenda saj po debatohet edhe rreth mundësisë së kandidaturave të tjera. Emri më i përfolur është ai i kryetarit aktual të Prishtinës, Isa Mustafa. Një grup që veten e identifikon si tifozë të futbollit, u mblodhën sot para selisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke kërkuar që ai të kandidojë në vend të kryetarit aktual të kësaj partie Fatmir Sejdiu. Zoti Mustafa tha se çështja e kandidimit për drejtimin e kësaj partie është çështje e marrëveshjeve të brendshme.

“Në qoftë se anëtarësia dhe degët e LDK-së kërkojnë zgjidhje tjetër, unë jam i gatshëm të ballafaqohem me këto zgjidhje, mirëpo unë mendoj që zoti Sejdiu ka treguar sukses të mirë, ai e ka udhëheq në mënyrë të ndërgjegjshme Lidhjen Demokratike. Është çështje e anëtarësisë së Lidhjes Demokratike që ata të japin besimin e tyre për zgjedhjet e ardhshme”, tha zoti Mustafa.

Pas vdekjes së ish presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova, Lidhja Demokratike pësoi ndryshime të cilat në dhjetor të vitit 2006 çoi në ndarjen e saj. Në nëntor të vitit 2007, Lidhja Demokratike, për herë të parë humbi në zgjedhje duke u radhitur e dyta pas rivales së saj të vjetër, Partisë Demokratike të Kosovës, më të cilën ndau pushtetin deri një javë më parë kur u tërhoq nga koalicioni qeverisës.