Procesi i privatizimit të Postës dhe Telekomit qe mbyllur në tetor të vitit 2011, pasi tërheqjes së njërës nga dy kompanitë konkurruese.
Në Kosovë, autoritetet thanë se kanë rishpallur ftesën për privatizimin e Postës dhe Telekomit, pas dështimit të këtij procesi në vjeshtën e vitit të kaluar.
Procesi u mbyll në tetor të vitit 2011, pasi që nga konkurrenca u tërhoq Telekomi kroat, njëra nga dy kompanitë që kishin mbetur në rrethin e ngushtë për blerjen e 75 për qind të aksioneve në këtë ndërmarrje, që është më fitimprurësja në Kosovë.
Aktualisht, vlerësohet se ajo ka mbi një milion shfrytëzues të shërbimeve telefonike celulare dhe të rrjetit tokësor. Thirrja për kompanitë e interesuara pritet të mbahet e hapur deri në fund të muajit korrik, por nuk ka një afat të caktuar për shpalljen e fituesit.
Ministria e Zhvillimit Ekonomik, nëpërmjet një komunikate njofton se janë përcaktuar kriteret nëpërmjet të cilave, "synohet të identifikohen operatorët e telekomit dhe investitorët financiar, të cilët kanë përvojë në sektorin e telekomunikacionit dhe të cilët kanë mundësi të mjaftueshme financiare, teknike, drejtuese dhe organizative për menaxhim të suksesshëm të kompanisë".
Në kuadër të përgatitjeve për këtë proces, qeveria e Kosovës kishte mbajtur konferenca me investitorë në Londër dhe në Stamboll.
Dështimi i procesit vitin e kaluar pasoi akuzat kundër Shefit ekzekutiv të Postës dhe Telekomit Shyqyri Haxha dhe anëtarit të bordit drejtues të kësaj ndërmarrjeje Rexhë Gjonabalaj, nën dyshimet për nënshkrimin e kontratave të dëmshme për Postën dhe Telekomin e Kosovës.
Shitja e aksioneve të Postës dhe telekomit parashihej atëbotë t’i siguronte buxhetit të Kosovës nga 300 deri në 600 milion euro, të hyra këto që ishin parashikuar edhe në buxhetin e Kosovës për vitin e kaluar.
Autoritetet thanë se buxheti nuk pësoi nga dështimi i privatizimit, por ekspertët thanë se ndërprerja e procesit mund të kishte pasoja të tjera për përpjekjet e vendit që të sigurojë më shumë investime të huaja, të domosdoshme për ripërtëritjen ekonomike të tij.
Vendimi për privatizimin e Postës dhe Telekomunikacionit, që është një nga ndërmarrjet publike më fitimprurëse në Kosovë, u miratua në mars të viti 2011, duke nxitur kundërshtimin e ashpër të partive politike opozitare.
Mospajtimet rreth këtij privatizimi në vjeshtën e vitit 2010 ishte një nga shkaqet që çuan në krizën institucionale në vend, që u pasua me zgjedhjet e parakohshme të fundit të atij viti.