Në Kosovë, zyrtarët e Misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, thanë se po bëhen përpjekje për të ndriçuar rrethanat e arrestimit të dy pjesëtarëve të policisë së Kosovës nga ana e autoriteteve të Serbisë dhe për shmangien e tensioneve që janë krijuar pas këtij incidenti.
Autoritetet e Serbisë arrestuan të shtunën dy pjesëtarë të policisë së Kosovës, në zonën kufitare ndërmjet dy vendeve. Ministri serb i punëve të brendshme, Ivica Daçiç, u tha mjeteve serbe të informimit se të arrestuarit, Shukri Binaku e Sami Beqiri, kishin më vete armë që paraqet, sipas tij, “shkelje drastike të marrëveshjes ushtarako-teknike, të nënshkruar në Kumanovë, më 1999”, duke ju referuar marrëveshjes së 9 qershorit të atij viti të nënshtruar ndërmjet autoriteteve të Beogradit dhe NATO-s, me të cilën iu dha fund luftës në Kosovë.
Ndërkaq, në Prishtinë, Ministria e Punëve të Brendshme akuzoi autoritetet serbe për rrëmbimin e dy pjesëtarëve të policisë të cilët po patrullonin në vijën kufitare, e cila edhe 13 vjet pas luftës mbetet e pashënuar.
Zyrtarë të Misionit të Bashkimit Evropian për policinë dhe drejtësinë u shprehën siç thanë, të befasuar dhe të shqetësuar me këtë incident. Zëdhënësi i këtij Misioni Anne Blanksma, i tha Zërit të Amerikës nëpërmjet telefonit, se janë duke u hetuar rrethanat dhe vendi i saktë i këtij incidenti.
“Është vështirë të thuhet se si mundet që ky veprim të jetë në frymën e marrëveshjes për menaxhimin e përbashkët të kufirit”, tha ai duke shfaqur shpresën se incidenti do të zgjidhet shpejtë dhe tensionet do të ulen në interes të të gjithë qytetarëve në rajon.
Incidenti u dënua në shkallë të gjerë në Kosovë. Institucionet dhe partitë politike thanë se ky është sulm mbi integritetin institucional e tokësorë të Kosovës, në kundërshtim me vlerat evropiane të fqinjësisë së mirë, kundër bashkëpunimit rajonal dhe cenon rëndë marrëveshjet e arritura në mes të Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Një pjesë e partive politike kritikuan edhe qeverinë e Kosovës për përfshirje ne bisedime me Serbinë, e cila siç thuhet, nuk ka hequr dorë nga pretendimet e saj edhe territoriale ndaj Kosovës.
Arrestimet e së shtunës, pasuan paralajmërimet e ministrit serb të punëve të brendshme se autoritetet e Serbisë, do të kundërpërgjigjen ndaj arrestimeve të serbëve nga ana e autoriteteve të Prishtinës. Të hënën, policia e Kosovës arrestoi katër pjesëtarë të komunitetit serb, që po bartnin materiale për zgjedhjet e Serbisë, me çka sipas policisë, ata kishin shkelur rendin kushtetues të Kosovës. Në kundërpërgjigje policia serbe arrestoi dy shqiptarë, përfshirë Hasan Abazin, kryetar i sindikatave të industrialistëve të Kosovës derisa po udhëtonte për në Kroaci nëpërmjet territorit të Serbisë.
Këto zhvillime nxitën reagime të shumta përfshirë edhe departamentin amerikan të shtetit, Bashkimin Evropian si dhe organizata e ndryshme ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, të cilat bënë thirrje për shmangie të veprimeve që mund të nxisin tensionet të cilat edhe ashtu u shtuan pas paralajmërimeve të Beogradit se do të organizojë zgjedhjet lokale edhe në Kosovë. Prishtina zyrtare tha se këto synime paraqesin cenim të sovranitetit të Kosovës dhe paralajmëruan një plan të posaçëm për pengimin e zgjedhjeve lokale serbe.
Kundër këtyre zgjedhjeve është shprehur edhe Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, sipas të cilit, ato bien ndesh me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit. Kundër mbajtjes së zgjedhjeve lokale serbe janë shprehur edhe diplomatët perëndimorë, të cilët thanë se zgjedhjet parlamentare të Serbisë, ndërkaq, do të mund të mbaheshin të organizuara nga Organizata për Siguri e Bashkëpunim në Evropë, duke u nisur nga fakti se qytetarët e Kosovës e kanë të garantuar shtetësinë e dyfishtë.
Tashmë edhe zyrtarët serbë kanë paralajmëruar mundësinë që të heqin dorë nga zgjedhjet lokale për shkak të, siç është thënë, pamundësisë së realizimit të tyre.