Qeveria e Kosovës, zotohet të sigurojë kuadrin ligjor për mandatin e EULEX-it, pas përfundimit të mbikëqyrjes së pavarësisë.
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha sot se po kërkohet një bazë e qëndrueshme ligjore, që do të mundësonte mandatin e Misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, deri në qershor të vitit 2014. Ai i bëri këto komente në mbledhjen e sotme të qeverisë, në të cilën foli për procesin e përmbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës.
http://www.youtube.com/embed/scNZ7P1mHccMediet në Prishtinë shkruajnë se vendet anëtare të Grupit Drejtues ndërkombëtarë për Kosovën kanë kërkuar nga qeveria në Prishtinë që mandati i EULEX-it të përfshihet në Kushtetutën e vendit, e cila duhet të pësojë ndryshime për të mundësuar përmbylljen e mbikëqyrjes. E përditshmja Koha Ditore shkruan se aktualisht nuk ka bazë të mjaftueshme ligjore që EULEX-i të vazhdojë punën pas përfundimit të mbikëqyrjes së pavarësisë.
“Ne jemi të zotuar që të gjejmë bazën adekuate ligjore për të mundësuar vazhdimin e mandatit të misionit të EULEX-it, duke përfshirë edhe kompetencat ekzekutive të tij deri në qershor të vitit 2014”, tha kryeministri Thaçi.
Ai nuk dha më shumë hollësi se cila do të jetë rruga e sigurimit të këtij mandati, ndërsa ritheksoi rëndësinë e vendimit për t’i dhënë fund mbikëqyrje së pavarësisë.
”Është hapur edhe kapitulli konkret i shtetit të Kosovës në NATO dhe BE. Dua të potencoj se tërë Grupi Drejtues Ndërkombëtar ishte unik dhe entuziast në mbështetje të progresit të arritur në Kosovë dhe në mbështetje të vendimit për përmbylljen e mbikëqyrjes së pavarësisë”, theksoi kryeministri Thaçi.
Përmbyllja e mbikëqyrjes është vendosur, pavarësisht se plani i krye negociatorit Martti Ahtisaari, në bazë të të cilit është shpallur pavarësia e Kosovës, nuk është zbatuar në tërësi, për shkak të refuzimit të serbëve në veriun e Kosovës. Në atë zonë ka pasur edhe protesta kundër vendimit të Grupit Drejtues Ndërkombëtarë dhe shtrirjes së autoritetit të Prishtinës në atë pjesë. Kryeministri Thaçi, tha se Prishtina i ka të qarta synimet kundruall veriut.
“Ritheksoj zotimin tonë për përfshirjen e komuniteteve në mënyrë të veçantë për serbët në veri që t’i gëzojnë të gjitha të drejtat e përcaktuara me ligjet dhe kushtetutën e Kosovës”, tha kryeministri Thaçi.
Përmbyllja e mbikëqyrjes së pavarësisë nënkupton më shumë sovranitet për institucionet vendase dhe kjo duhet të mundësohet me ndryshimet në kushtetutën dhe ligjet e Kosovës që kanë të bëjnë me kalimin e përgjegjësive. Organizata të shoqërisë civile bënë thirrje sot që ndryshimet të mos bëhen me procedurë të përshpejtuar, duke mos e përfshirë edhe qëndrimet opinionit publik, sic kishte ndodhur deri tash me ligjet që dalin nga plani i zotit Ahtisaari.
Me apo pa procedurë të përshpejtuar ndryshimet duhet të përmbyllen deri në shtator, kur grupi drejtues pritet që të mblidhet në Prishtinë për të përfunduar mbikëqyrjen dhe për të mbyllur zyrën civile ndërkombëtare.