Në Kosovë, ka filluar procesi gjyqësor ndaj 11 personave të përfshirë në skandalin e përgjimeve telefonike, që u bë i njohur si rasti "pronto", për shkak të përdorimit të kësaj fjale gjatë komunikimeve. Pjesë e këtij rasti ka ministra aktualë, deputetë dhe ish deputetë, si dhe zyrtarë të lartë të institucioneve të Kosovës. Fillimi i gjykimit ka ngjallur shumë debate për mënyrën e trajtimit dhe ndërhyrjet e mundshme politike, ndërsa vëzhguesit thonë se ky rast është një mesazh ndaj zyrtarëve të lartë që mund të përfshihen në raste korrupsioni apo të krimit të organizuar.
Your browser doesn’t support HTML5
Njëmbëdhjetë persona të përfshirë në një rast përgjimesh telefonike, që u bë i njohur si rasti "pronto", për shkak të përdorimit të kësaj fjale gjatë komunikimeve, u shfaqën këto ditë për herë të parë në gjykatë. Në mesin e tyre ka ministra aktual, deputetë dhe ish deputetë si dhe zyrtarë tjerë të lartë të institucioneve të Kosovës.
Por, qysh në hapje të procesit ai po përballet me sfida dhe kërkesa për dorëheqje.
Prokurorja e Posaçme Kosovës, Drita Hajdari, që po e heton rastin ka thënë në emisionin ‘Jeta në Kosovë’ se para se të fillojë gjykimi i rastit ‘Pronto’, persona të ndryshëm i kanë dërguar porosi se këtë rast e ka të humbur.
“Tash kur po pritet të filloj gjykimi, po më dërgojnë zëra se e ke rastin e humbur, se ky rast nuk do të kaloj asnjëherë, as shqyrtimin fillestar. Mua po më dërgojnë porosi me mesazhe të tilla. Nuk ka rëndësi kush është, me rëndësi që po krijohet një atmosferë e tillë”,tha prokurorja Hajdari.
Prokurorja Hajdari ka kërkuar shkarkimin e gjykatësit drejtues meqë ai nuk lejoi të lexohen aktakuzat dhe me këtë sipas saj ai nuk është treguar objektiv dhe i paanshëm, duke injoruar edhe dispozitat ligjore që përcaktojnë një gjë të tillë.
Por, kërkesa e prokurores nuk u miratua nga Gjykata Themelore e Prishtinës.
Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Blerim Isufaj thotë se prokurorja Drita Hajdari nuk ka paraqitur ndonjë ankesë lidhur me mesazhet që ka pranuar për rastin “pronto”.
“Unë nuk e di në fakt çfarë mesazhesh ka marr sepse ajo ato mesazhe nuk i ka adresuar të paktën te kryesuesi i këshillit prokurorial janë gjëra që nuk i di dhe nuk mund të deklarohem. Unë e inkurajoj prokuroren që ajo të kryej punën e vet dhe nëse ajo ka nevojë apo ka diçka për të ndarë me neve si këshill prokurorial, duhet t’i ndaj me neve paraprakisht para se të ndaj me dikë tjetër”,tha zoti Isufaj.
Vëzhguesit e procesit thonë se çdo kërcënim apo mesazh duhet të paraqitet në mënyrë që ato të mos e pengojnë procesin.
Njomza Arifi nga Grupi për studime juridike dhe politike, organizatë kjo që vëzhgon gjykimin e rastit “pronto” thotë se prokurorët dhe gjyqtarët nuk duhet të ndikohen nga faktorët politik apo të jashtëm.
“Konsiderojmë që çdo gjyqtar apo prokuror që hapur ose kushdo tjetër që hapur krijon barriera në raste të tilla duhet që menjëherë të futet në masa disciplinore edhe të përjashtohet në raste të tillë në mënyrë që proceset të shkojnë ashtu si duhet dhe si i takojnë një shteti që është i përgjegjshëm dhe që ka të instaluar një minimum të sundimit të ligjit prandaj nuk duhet të lejohet që raste të tilla të ndikohen nga qoftë politika apo ndonjë faktor tjetër i jashtëm”,tha zonja Arifi.
Ngritja e aktakuzës pasoi një periudhë të gjatë hetimesh që zunë fill me hapjen e tyre më 26 gusht të vitit 2016 ndaj ish deputetit të Partisë Demokratike, Adem Grabovci.
Hetimet kundër tij atëbotë pasuan publikimin e përgjimeve të bisedave në gazetën në internet “Insajderi”, ku shfaqet ndikimi i ushtruar nga ai dhe zyrtarë të tjerë të Partisë Demokratike të Kosovës në emërimet në postet qeveritare, në drejtësi, media dhe në polici.
Përgjimet janë kryer gjatë muajve të fundvitit 2011 dhe në fillim të vitit 2012 në kuadër të hetimeve që kryheshin atëbotë në ish Ministrinë e Transportit, ku subjekt i përgjimeve, me autorizimin e prokurorit të EULEX-it, ishte edhe Adem Grabovci.
Sipas prokurorisë, të akuzuarit ngarkohen për kryerjen e veprës penale "shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës"
Ehat Miftaraj nga Instituti për Drejtësi i Kosovës thotë se vet vepra penale e ngritur nga ana e prokurorisë tregon se ky rast nuk do të arrijë qëllimin.
“Aktorët kryesor, përfshirë presidentin Thaçi dhe zyrtarë tjerë të cilët në atë kohë kanë pasur pushtetin real, praktik dhe ekzekutiv nuk janë hetuar dhe pothuajse prokuroria nuk ka pasur as guximin të drejtoj hetimin në këtë drejtim e dëshmon që ky rast në një far mënyre ofron pandëshkueshmëri ndaj pozitave të caktuara ndërsa zyrtarët tjerë akuzohen për një vepër e cila pothuajse edhe nëse dënohen është e një rëndësie jashtëzakonisht e ultë”,tha zoti Miftaraj.
Por, avokati i njërit pret të akuzuarve, Kujtim Kërveshi thotë se aktakuza e prokurorisë duhet të rrëzohet pasi që sipas tij nuk mund të qëndrojë as në aspektin profesional dhe as në aspektin e provave që janë ofruar.
“Mund të them se fatkeqësisht që zyrtarin që unë mbrojë, fatkeqësisht i është përshkruar mandate dhe funksioni të cilin ai nuk e ka pasur dhe nuk ka pasur mundësi as të kryej veprën penale të cilën prokuroria konkludon se ka mbetur në tentative”, tha ai.
Zoti Kërveshi thotë se prokurja e rastit do të duhej t’i bëj publike mesazhet.
“Nuk dua të besoj që sistemin e drejtësisë e kontrollojnë forca të errëta deri në atë masë sa që edhe para se të dorëzohen pretendimet e të pandehurve dhe mbrojtjes së të pandehurve, të krijohet një përcepcion se këtu është një akuzë e vdekur e aq më pak të komentohet nga prokurorja e shtetit për fatin e një akuze që e ka ushtruar”,tha ai.
Rasti i njohur si “pronto” sipas vëzhguesve do të duhej të ishte themel në luftën kundër keqpërdorimeve dhe një mesazh ndaj zyrtarëve të lartë të shtetit që do të mund të përfshiheshin në raste të korrupsionit apo krimit të organizuar.
Zoti Miftaraj thotë se rasti Pronto do të duhej të ishte rasti më i madh dhe më serioz i sistemit të drejtësisë në Kosovë që nga paslufta.
“Këtë rast ne e shohim më shumë si një aktakuzë ndaj personave të cilët në hierarkinë edhe për kundër asaj që kanë pasur pozita jashtëzakonisht të rëndësishme në të kaluarën të njejtit nuk e kanë fuqinë që e kanë pasur dhe më shumë e shohim si një rast për publik i cili nuk do të prodhoj ndonjë pasojë në raport me ato që kanë ndodhur në Kosovë në kohën kur dyshohet se janë kryer këto vepra penale”,tha zoti Miftaraj.
Njomza Arifi thotë se me këtë rast vihet në sprovë aftësia dhe kapacitetet e sistemit të drejtësisë për të gjykuar figura të nivelit të lart politik
“Një dështim për t’u marr me një rast të tillë tregon një mos vullnet dhe një mungesë të angazhimit maksimal të trajtimit të rasteve të tilla që kanë një peshë të lartë publike. Ne e konsiderojmë se kjo ndikon edhe në aspiratat integruese të Kosovës drejt Bashkimit Evropian dhe ndikon direkt në përceptimin në institucionet e BE-së dhe shteteve tjera që kanë një peshë dhe rol të rëndësishëm në rrugën tonë drejt integrimit”,tha zonja Arifi.
Publikimi i përgjimeve të këtij rasti pati nxitur shumë reagime në Kosovë. Grupe organizatash joqeveritare për ditë me radhe kishin protestuar duke kërkuar drejtësi dhe luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.