Një debat i gjatë dhe shpeshherë me tone të rrepta në Parlamentin e Kosovës, përfundoi pa ndonjë dokument lidhur me bisedimet me Serbinë për çështje praktike të interesit të përbashkët. Me 60 vota për dhe 45 kundër, parlamenti miratoi propozimin e kryetarit të tij, Jakup Krasniqi, që grupet parlamentare të përgatisin një dokument të përbashkët që do të hidhet në debat ditën e enjte. Ky vendim ka vënë në pikëpyetje mbajtjen e takimit të paralajmëruar për të martën, që do të duhej të zgjaste edhe të mërkurën.
Dështimi për të miratuar një dokument të përbashkët pasoi një debat të rreptë parlamentar.
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe Partia Demokratike, kërkuan mbështetjen e Parlamentit për fillimin e këtyre bisedimeve, ndërsa tri partitë opozitare u vunë kundër, duke kërkuar që para nisjes së bisedimeve të ketë një platformë të veçantë. Kryeministri Hashim Thaçi e cilësoi dialogun si një proces të rëndësishëm dhe të domosdoshëm për Kosovën dhe aspiratat e saj euroatlantike. Ai i siguroi deputetët se në këto bisedime nuk do të diskutohet për statusin e Kosovës, tërësinë e saj tokësore dhe rregullimin e brendshëm kushtetues.
Ndërkaq, opozita shprehu qëndrime krejtësisht të kundërta, duke nënvizuar se bisedimet janë në favor të Serbisë më shumë sesa në favor të Kosovës. Ndërsa lëvizja Vetëvendosje propozoi një dokument kundër bisedimeve me Serbinë, përderisa ky vend të mos e njohë Kosovën si shtet dhe të mos i shpërbëjë strukturat e saj paralele.
Sipas zyrtarëve të Bashkimit Evropian bisedimet do të përqendrohen në problemet praktike, siç janë kontrolli i kufijve dhe dokumentet personale, telekomunikacionet, trafikut ajror, dokumentet kadastrale etj. duke shmangur problemet politike në fazën fillestare.
Ndër çështjet e para pritet të debatohet Marrëveshja për tregti të lirë në vendet e Evropës Qendrore, e njohur si CEFTA e cila gjatë këtij vitit duhet të drejtohet nga Kosova. Mirëpo, problemet politike e kanë vështirësuar këtë proces, i cili pritet të tejkalohet asisoj që vendet të marrin pjesë ne takimet e CEFTA-s pa emrat dhe simbolet shtetërore.
Zyrtarë të Beogradit, presin që në periudha të mëvonshme të hapin edhe çështje të rëndësishme politike, duke ngulur këmbë në mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës. Sot ata ndërkaq konfirmuan temat që do të diskutohen në fazën fillestare të bisedimeve. Borko Stefanoviç, shef i delegacionit serb është shprehur optimist për procesin e bisedimeve duke vlerësuar edhe qasjen e qeverisë së Kosovës rreth këtij procesi. "Nuk ka afate të caktuara. Ne do të përpiqemi që të zgjidhim disa çështje thelbësore deri në fund të vitit dhe jemi optimist, por nuk duhet pritur mrekulli”, tha ai duke nënvizuar se ky do të jetë një proces i vështirë me rënie dhe ngritje, por, sipas tij “personaliteti i negociuesit kryesor të Prishtinës krijon besim meqë bëhet fjalë për një person me përvojë, që ka njohuri dhe është në pozitë të lartë në hierarkinë e Prishtinës dhe krijon besim se ky person është në gjendje të zbatojë atë për të cilën palët merren vesh”.
Shefi i delegacionit serb ka nënvizuar rëndësinë e përcaktimit të statusit të serbëve të Kosovës si një nga çështjet kryesore të platformës së bisedimeve.
"Platforma jonë nënkupton se do të luftojmë për të drejtat e serbëve të Kosovës për të qëndruar dhe jetuar në Kosovë. Në të njëjtën kohë dëshirojmë një përcaktim të qartë të statusit të tyre dhe të shmangim çdo nocion për ta si një entitet i huaj apo që ata të kenë ndjenjën se nuk jetojnë në vendin e tyre”.
Ai tha se suksesi më i madh i këtij dialogu do të jetë konfirmimi i së drejtës së tyre për të qëndruar në Kosovë në rrugë të qartë institucionale e kjo nënkupton që terminologjia aktuale për strukturat paralele apo jo paralele nuk do të ketë vend nëse bisedimet kanë sukses.
Serbët e Kosovës ndërkaq janë të ndarë në qëndrimet e tyre rreth bisedimeve. Ajo pjesë që është e përfshirë në institucione mbështet bisedimet dhe synon të jetë pjesë e bisedimeve në anën e Prishtinës, ndërsa ata jashtë institucioneve kërkojnë që të jenë pjesë e delegacionit të Beogradit dhe kërkojnë përfshirjen e Rusisë në këtë proces që do të ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
Pavarësisht se kur do të fillojnë, këto do të jenë bisedimet e para të drejtpërdrejta midis Prishtinës dhe Beogradit, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në shkurt të vitit 2008, e cila vazhdon të kundërshtohet nga Serbia.