Parlamenti i Kosovës miratoi sot themelimin e dy komisioneve të përkohshme për ndryshimet kushtetuese dhe reformën e sistemit zgjedhor.
Komisionet që do të kenë nga nëntë anëtarë do të drejtohen nga Partia Demokratike në pushtet dhe Lidhja Demokratike e Kosovës në opozitë.
Themelimi i komisioneve shënon edhe fillimin e zbatimit të marrëveshjes së arritur ndërmjet udhëheqësve të Partisë Demokratike, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës Kosova e Re për këto reforma, marrëveshje kjo e cila mundësoi zhbllokimin e ngërçit politikë në fillim të këtij muaji dhe zgjedhjen e presidentes së vendit më 7 prill.
Marrëveshja, e cila u arrit me ndërmjetësimin e ambasadorit amerikan Christopher Dell parasheh që zgjedhjet presidenciale të mbahen pas më se një viti, ndërsa ato parlamentare pas më se dy vjet e gjysmë.
Sipas marrëveshjes, ndryshimet kushtetuese do të duhej të përfshinin pjesën që i takon zgjedhjes së presidentit me qëllim që në të ardhmen ai të zgjidhet me votat e drejtpërdrejta të qytetarëve.
Por, ditëve të fundit kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se ndryshimet duhet të jenë thelbësore që përshpejtojnë forcimin e shtetit dhe përmbylljen e fazës së pavarësisë së mbikëqyrur.
Po sot, Parlamenti zgjodhi me shumicë votash guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës. Me 58 vota pro, Gani Gërguri, mori postin e guvernatorit, duke pasuar ish guvernatorin Hashim Rexhepi, i cili u arrestua më 23 korrik të vitit të kaluar nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrje të ryshfetit, shmangie taksash, ushtrim të ndikimit dhe pastrim parash.