Disa qindra të rinj nga Kosova pritet të përfitojnë nga një program i përbashkët i arsimit të lartë, i themeluar nga qeveria e Shteteve të Bashkuara dhe qeveria e Kosovës. Kjo u bë e ditur sot me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes së mirëkuptimit ndërmjet ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Christopher Dell dhe kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi.
http://www.youtube.com/embed/mk_trkJ_1zA
Ambasadori Dell tha se qëllimi është të ndihmohet ngritja e brezit të udhëheqësve të ardhshëm të Kosovës. Ai tha që nëpërmjet këtij programi shpresohet që të arsimohen 500 deri në 800 të rinj nga Kosova për të paktën një apo dy vite në institucionet amerikane të arsimit të lartë.
“Gjatë shërbimit tim në Kosovë një nga karakteristikat kryesore që kam parë është se çfarë ndryshimesh mund të bëjnë të rinjtë në institucionet e qeverisjes, në sektorin privat gjithandej vendit kur janë të arsimuar në Amerikë dhe marrin përvojën e arsimit të lartë në Shtetet e Bashkuara”, tha ia duke shfaqur shpresën se numri i atyre që do të arsimohen në të ardhmen në Shtetet e Bashkuara do të rritet.
Kryeministri Thaçi tha se marrëveshja është ngjarje e rëndësishme për Kosovën.
“Qëllimet kryesore të këtij fondi do të jenë: përforcimi i lidhjes mes institucioneve të arsimit të lartë të Republikës së Kosovës dhe SHBA-së, me qëllim të ofrimit të mundësive për shkollimin e liderëve kosovarë të profileve të ndryshme. Përforcimi i kapacitete vendore për të përkrahur mundësitë e shkollimit dhe përmes kësaj për të vazhduar me shkollimin e lidershipit profesional në Kosovë në mënyrë të qëndrueshme. Themelimi i një iniciative publiko-private të udhëhequr nga kosovarët për të përkrahur me bursa akademike dhe praktika profesionale në të ardhmen. Në këtë fond Qeveria e Republikës së Kosovës do të ndaj 10 milionë euro për një periudhë 10 vjeçare. Kësaj shume do t’i shtohen edhe mbi 10 milionë euro nga Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, tha kryeministri Thaci.
Po sot, ambasada amerikane i dhuroi qeverisë së Kosovës, pajisje në vlerë prej mbi 360 mijë dollarësh, për të ndihmuar parandalimin e përhapjes së armatimit të shkatërrimit në masë.
Në muajin maj të këtij viti, të dy qeveritë nënshkruan marrëveshjen në fushën e parandalimit të përhapjes së armëve të shkatërrimit në masë, e cila, siç është thënë, rrit bashkëpunimin dhe partneritetin dypalësh në shtimin e sigurisë dhe mbrojtjes së popullit të Kosovës dhe do të ndihmojë forcimin e mundësive të Kosovës për t’u përballur me kërcënimet e mundshme, që përfshijnë trafikimin e ndaluar të Armëve të Shkatërrimit në Masë dhe materialeve të ngjashme.