Kosovë: HRW kërkon hetime të pavarura për akuzat e Dik Martit

  • Leonat Shehu
    Prishtinë

Kosovë: HRW kërkon hetime të pavarura për akuzat e Dik Martit

Organizata Ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, Human Rights Watch, i ka bërë thirrje Misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në Kosovë që të emërojë një prokuror të lartë të pavarur për të hetuar akuzat për krime të kryera nga disa ish drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kjo organizatë po ashtu ka nënvizuar se një program i përmirësuar për mbrojtjen e dëshmitarëve është i nevojshëm për të pasur një hetim të besueshëm.

Muajin e kaluar, raportuesi i Këshillit të Evropës Dick Marty, nxiti zemërim në Kosovë me pretendimet se udhëheqës të lartë të Ish Ushtrisë Çlirimtare dhe kryeministri aktual Hashim Thaçi, janë të përfshirë në veprimtari të paligjshme, përfshirë edhe trafikimin e organeve njerëzore. Raporti i zotit Marty pritet të debatohet javën e ardhshme në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Zoti Marty në një intervistë dhënë portalit Albinfo në Zvicër, thotë se raporti i tij nuk është i drejtuar kundër shqiptarëve dhe as kundër ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në prag të debatit për këtë raport edhe kryeministri në dorëheqje i Kosovës, Hashim Thaçi ka kërkuar nisjen e hetimeve rreth akuzave të Dick Martyt. Në një letër që ia ka dërguar Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, ai u bënë thirrje të gjitha autoriteteve përgjegjëse, në veçanti EULEX-it, që hetimet të fillojnë sa më parë që është e mundur, duke ofruar bashkëpunimin e plotë të qeverisë së Kosovës.

Prokurorë të EULEX-it ndërkaq kanë diskutuar me kolegët e tyre në Tiranë për të siguruar mbështetjen në procesin e hetimeve rreth pretendimeve të zotit Marty se veprimtaritë e paligjshme të pjesëtarëve të ish Ushtrisë Çlirimtare janë kryer në disa zona të Shqipërisë.

Ky mision i ka bërë kërkesë edhe vet zotit Marty që të ofrojë çdo fakt që mund të ketë rreth kësaj çështjeje, por ende nuk ka marrë një përgjigje.

Organizata Human Rights Watch ka tërhequr vërejtjen se hetimi duhet të përmbushë disa kritere për shkak të siç thuhet vështirësive të kryerjes së tyre duke vënë theksin në mbrojtjen e dëshmitarëve.

Çështja e këtyre pretendimeve ishte çështje e një seancë gjyqësore në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë ndaj katër pjesëtarëve të komunitetit serb të dyshuar për siç thuhet blerje të dëshmive të rrejshme rreth trafikimit të organeve njerëzore gjatë luftës në Kosovë. Konfirmimi i kësaj akuze është shtyrë për 29 mars. Sipas prokurorisë, katër serbët e dyshuar kanë ofruar shuma të mëdha parash në këmbim të deklaratave të rrejshme për trafikim dhe transplantim organesh në kohën e luftës në Kosovë. Të arrestuar në qershor të vitit 2009 ata ishin liruar për mungesë provash nga një gjykatës i EULEX-it, ndërsa çështja e tyre u ngrit sërish pas raportit të zotit Marty.

Human Rights Watch u ka bërë thirrje fuqive perëndimore që krahas mbështetjes së hetimeve nga ana e EULEX-it të shtojnë trysninë edhe ndaj Serbisë për ndriçimin e fatit të personave të zhdukur, përfshirë edhe të trupave që janë zhvarrosur, shkatërruar ose rivarrosur në Serbi.