Kosovë: Hetime për një incident të lidhur me zgjedhjet

Kosovë: Hetime për një incident të lidhur me zgjedhjet

Policia e Kosovës tha sot se ka arrestuar 12 persona nën dyshimet për përfshirje në vrasjen e një personi dhe plagosjen e dy të tjerëve në fshatin Banjë të komunës së Malishevës, rreth 50 kilometra në jugperëndim të Prishtinës. Incidenti ka ndodhur në një restorant në këtë fshat në mbrëmjen e një janarit, kur siç thuhet, një grup prej rreth 15 personash kanë hyrë në mjediset e restorantit dhe kanë sulmuar viktimat ndaj të cilëve më pastaj është hapur zjarr. Policia tha se gjatë bastisjeve në shtëpitë e të dyshuarve janë konfiskuar edhe dy armë automatike të tipit kallashnikov. Në incident ka humbur jetën Skender Limaj, ndërsa janë plagosur dy familjarë të tij.

Policia nuk ka dashur të komentojë motivet e mundshme të këtij incidenti, ndaj të cilit ka reaguar kryetari i komunës së Malishevës, Hisni Kilaj, sipas të cilit kësaj ngjarjeje i ka paraprirë, siç thekson ai në një komunikate me shkrim, politika nxitëse e deklaratave tё drejtuesve të lëvizjes Vetëvendosje. Ndërsa kjo lëvizje e ka dënuar incidentin duke bërë thirrje që siç thuhet, rasti të mos politizohet.

Reagimet lanë të nënkuptohet se incidenti pasoi akuzat dhe kundër akuzat që pasuan zgjedhjet parlamentare të 12 dhjetorit, të cilat u përshkuan me parregullsi që çuan edhe në rinumërimin e rreth 40 për qind të vendvotimeve.

Rinumërimi i 40 për qind të votave përfundon nesër

Burim Ahmetaj nga Qendra për rinumërim tha sot se dita e nesërme mund të shënojë përfundimin e këtij procesi.

“Kanë mbetur edhe 129 vendvotime të cilat do të rinumërohen, kështu që mendojmë se me datën 4 janar të përfundohet i tërë procesi i rinumërimit në qendrën e numërimit dhe rezultateve nga 760 vendvotime”, tha zoti Ahmetaj.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka lënë të hapur mundësinë që të ketë përsëritje votimesh edhe në disa zona të tjera përveç atyre për të cilat qe vendosur më herët. Ankesat e shumta çuan në vendimin për rivotim të tërësishëm në tri komuna të vendit, në Deçan në Kosovën perëndimore dhe në Skenderaj e Drenas në Kosovën qendrore. Në dy komuna të tjera do të ketë rivotime të pjesshme, të cilat do të mbahen të dielën më 9 janar.

Çështja e komunave Skenderaj dhe Drenas, tradicionalisht të njohura si mbështetëse të Partisë Demokratike të Kosovës është ngritur edhe nga vëzhguesit e Parlamentit Evropian dhe ata të Rrjetit Evropian për vëzhgimin e zgjedhjeve si dhe përfaqësuesit diplomatikë të cilët kanë kërkuar veprime ligjore. Këto dy komuna janë më të përfolura edhe nga partitë politike, një pjesë ë të cilave pohon se procesi i zgjedhjeve është dëmtuar rëndë me parregullsitë.

Zyrtarët e Partisë Demokratike që sipas rezultateve paraprake ka fituar zgjedhjet me 33. 5 për qind të votave, kanë bërë thirrje që partitë politike të respektojnë vendimet e mekanizmave përgjegjës për organizimin e zgjedhjeve.

Ndonëse, të dielën sërish do të ketë votime Partia Demokratike ka filluar tashmë përpjekjet për krijimin e koalicionit të ardhshëm qeverisës dhe kryetari i saj Hashim Thaçi është zotuar se kjo do të ndodhë në javën e parë pas zgjedhjeve të së dielës.

Zgjedhjet e përgjithshme të 12 dhjetorit ishin të parat që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës në shkurt të vitit 2008 dhe të parat që në tërësi janë organizuar nga institucionet e shtetit të ri. Si të tilla ato u panë si një sprovë e rëndësishme për maturinë politike dhe demokratike të shtetit të ri, posaçërisht për faktin se ato u organizuan në një kohë të shkurtër dhe ishin të parat të jashtëzakonshme ne vend.