Grupi Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën, vlerëson se plani i Martti Ahtisaarit është zbatuar në mënyrë thelbësore.
Grupi Drejtues Ndërkombëtarë për Kosovën, vendosi sot që mbikëqyrja e pavarësisë së Kosovës të përfundojë në muajin shtator.
Vendimi i mor në takimin e sotëm të këtij grupi në Vjenë, ku u tha se plani i kryenegociatorit të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, në bazë të të cilit është shpallur pavarësia e Kosovës, “është zbatuar në mënyrë thelbësore dhe me këtë autorizohen hapat përfundimtar për përmbyllje të pavarësisë së mbikëqyrur dhe mbyllje të Zyrës Civile Ndërkombëtare”.
Grupi, autorizon institucionet përkatëse të Kosovës t’i miratojnë amendamentet e nevojshme kushtetuese dhe legjislative për të mundësuar përfundimin e pavarësisë së mbikëqyrur, pas takimit të këtij grupi të planifikuar për muajin shtator të këtij viti.
Përmbyllja e mbikëqyrjes është vendosur, pavarësisht se plani i zotit Ahtisaari, nuk është zbatuar në tërësi, për shkak të refuzimit të serbëve në veriun e Kosovës.
Grupi drejtues tha sot se “e njeh themelimin Zyrës Administrative për Mitrovicën e Veriut nga Qeveria e Kosovës si një hap konkret dhe të mirëpritur për ofrimin e shërbimeve ndaj qytetarëve të saj në Mitrovicën e Veriut”.
Shefi i grupit ndërkombëtar, Pieter Faith, kishte deklaruar më herët se mbikëqyrja e pavarësisë do të përfundojë brenda vitit dhe zgjidhja përfundimtare e çështjes së veriut të Kosovës, do të mbetet në duart e mekanizmave të tjerë vendas e ndërkombëtarë.
Kosova shpalli pavarësinë në shkurt të vitit 2008, ndërsa një numër shtetesh që e kanë njohur atë, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe vendet kryesore të Bashkimit Evropian, themeluan grupin drejtues ndërkombëtarë për Kosovën dhe vunë zotin Pieter Faith, në postin e mbikëqyrësit të pavarësisë, e cila vazhdon të kundërshtohet ashpër nga Serbia.