Në Prishtinë, Gjykata e Qarkut vendosi sot që procesi gjyqësorë kundër deputetit të Parlamentit të Kosovës, Fatmir Limaj dhe nëntë pjesëtarëve të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të akuzuar për krime lufte, të fillojë më 30 janar të vitit të ardhshëm. Gjykata ka përcaktuar edhe kalendarin e procesit gjyqësor që pritet të vazhdojë deri në korrik të vitit që po vjen. Mbrojtja e të akuzuarve kishte kërkuar shtyrjen meqë, siç është thënë, dokumentet që përmbajnë akuzën, i janë dorëzuar asaj me vonesë.
Aktakuza e cila është hedhur poshtë nga të gjithë të akuzuarit, i ngarkon ata për krime lufte kundër popullatës civile dhe krime lufte kundër të burgosurve të luftës, që, siç thuhet supozohet të jenë kryer nga fillimi i vitit 1999 deri në mesin e qershorit 1999 në një qendër të improvizuar paraburgimi nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës e cila ndodhej në fshatin Kleçkë në Kosovën qendrore.
Akuza ishte mbështetur kryesisht mbi dëshmitë e një ish pjesëtari të Ushtrisë Çlirimtare Agim Zogaj i cili qe bërë i njohur si dëshmitari X deri në muajin shtator, kur kreu vetëvrasje në Gjermani, ku ishte dërguar nga autoritetet e EULEX-it në cilësinë e dëshmitarit të mbrojtur. Ai për një kohë kishte mbajtur ditar ku kishte shënuar ngjarjet e përfshira në akuzë.
Dy muaj pas vdekjes së tij, shefi i EULEX-it, Xavier Bout de Mernhac, nëpërmjet një letre të hapur, në të cilën shpjegon vështirësitë për mbrojtjen e dëshmitarëve. Në letër thuhet mes tjerash se Kosova është në proces të krijimit të programit të saj, ndërsa EULEX-i e ka programin e vetë për mbrojtjen e dëshmitarëve, i cili funksionon në Kosovë dhe jashtë saj. Por, ai thekson se asnjë program nuk mund të mbrojë dikë nga një veprim siç ishte ai i dëshmitarit X i cili i mori jetën vetes. Zoti de Marnhac ka bërë thirrje që çështja e dëshmitarit të mos politizohet.
Seanca gjyqësore e caktuar më 30 janar do të shqyrtojë provat e ofruara nga dëshmitari i ndjerë në këtë proces që nga vet trupi gjykues është vlerësuar si ndër më të rëndësishmit pas luftës në Kosovë.
Kjo është hera e dytë që deputeti Fatmir Limaj hidhet në gjyq nën akuzat për krime lufte. Më 30 nëntor të vitit 2005 Gjykata Ndërkombëtare për Krime lufte në Hagë shpalli të pafajshëm Fatmir Limajn i njohur me emrin e luftës si komandant Celiku, i cili në shkurt të vitit 2003 qe akuzuar për përfshirje në krime kundër civilëve shqiptarë dhe serbë gjatë luftës së vitit 1998. Ai u prit si hero pas kthimit nga Haga dhe disa muaj më pas u rikthye në strukturat e Partisë Demokratike të Kosovës të drejtuar nga Hashim Thaçi. Dy vjet më pas ai mori postin e ministrit të transporteve dhe telekomunikacionit.
Në pranverën e vitit 2010 EULEXI-i filloi një proces hetimesh kundër zotit Limaj, nën dyshimet për korrupsion në Ministrinë e tij, të cilat edhe më tej po vazhdojnë.