Kosovë: Edita Tahiri do të drejtojë bisedimet me Serbinë

  • Leonat Shehu

Kosovë: Edita Tahiri do të drejtojë bisedimet me Serbinë

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka emëruar sot zëvendëskryeministren e tij, Edita Tahirin, udhëheqëse të delegacionit të Republikës së Kosovës për dialogun për çështje praktike me Republikën e Serbisë.

Në një njoftim të zyrës së kryeministrit Thaçi thuhet se “dialogu si shtete të pavarura dhe sovrane me të gjitha shtetet fqinje, përfshirë Republikën e Serbisë, dhe zgjidhja e problemeve praktike në të mirë të të gjithë qytetarëve të rajonit, është vlerë dhe standard evropian”.

Kryeministri Thaçi ka shprehur bindjen se këto bisedime që nuk do të kenë të bëjnë me statusin e Kosovës dhe tërësinë e saj tokësore, do të përfundojnë me njohjen e ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Pavarësia e Kosovës që është njohur deri tash nga 75 vende të botës, vazhdon të kundërshtohet nga Serbia e cila synon që nëpërmjet këtyre bisedimeve, të arrijë, siç thuhet, një kompromis me të cilin do t’i jepej fund konfliktit historik ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve.

Bisedimet do të ndërmjetësohen nga Bashkimi Evropian.