Në Kosovë, Ambasadori amerikan, Christopher Dell dënoi mbrëmë një mbishkrim kundër publicistit Veton Surroi dhe motrës së tij Flaka Surroi që drejton kompaninë mediale Koha.
Në mbishkrimin e vënë në rrugën ku ndodhet apartamenti i familjes Surroi, thuhej “Rruga e UDB-së – Flaka dhe Veton Surroi”, duke aluduar në Shërbimin e Dikurshëm Sekret serb.
Duke e dënuar këtë mbishkrim, ambasadori amerikan ka theksuar se pjesëtarët e familjes Surroi janë miq të vjetër të Shteteve të Bashkuara, dhe ç’është më e rëndësishme, ata janë patriotë të vërtetë të Kosovës. Shtetet e Bashkuara e kanë mirëpritur dhe mbështetur lirinë e shprehjes për një kohë të gjatë pasi ajo është themel i çdo demokracie. Gjuha kërcënuese që ka për qëllim të frikësojë, apo të nxisë dhunë ndaj një individi apo kundërshtari politik, është e papranueshme, thuhet në një deklaratë të ambasadorit Dell. Tabela e vendosur sot në rrugën “Rexhep Luci”, e cila sulmon Surrojtë, është një akt prej frikacakësh dhe në kundërshtim me vlerat demokratike të një Kosove të pavarur, thuhet në reagimin e ambasadorit amerikan në Prishtinë.
Ky veprim i kryer nga persona ende të panjohur është dënuar edhe nga udhëheqës institucionesh dhe drejtues të shoqatave të gazetarëve. Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, e ka cilësuar këtë veprim si një akt të ulët dhe sulm ndaj vlerave të demokracisë së vendit. Institucionet e Kosovës po punojnë me përkushtim për tolerancën, mirëkuptimin dhe shprehjen e lirë. Prandaj, veprime të tilla janë të dëmshme për shoqërinë dhe shtetin e Kosovës, ka theksuar kryeministri Thaçi.
Ngjarja është dënuar nga Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Kosovës, e cila vlerëson se ajo synon të degradojë dy figura të shquara të gazetarisë dhe publicistikës së Kosovës. Ndërsa Unioni i Gazetarëve të Kosovës e sheh mbishkrimin si një mënyrë jo të mirë të shprehjes së pakënaqësisë ndaj personaliteteve të mediumeve në Kosovë, ndërsa u bën thirrje autoriteteve të Kosovës, që ta zbardhin ketë akt dhe të marrin masa sa më të shpejta ndaj autorëve të tij.