Kosovë: Dënohet gjerësisht vrasja e ushtarëve amerikanë në Gjermani

Kosovë: Dënohet gjerësisht vrasja e ushtarëve amerikanë në Gjermani

Në Kosovë ka pak njohuri për autorin e vrasjes së djeshme në Frankfurt, i cili u identifikua si Arid Uka, me prejardhje nga rajoni i Mitrovicës. Të afërm të tij që jetojnë në fshatin Zhabar të kësaj komune, shprehen të tronditur me veprimin e Arid Ukajt, familja e të cilit jeton për dhjetëra vjet në Gjermani. Ngjarja e djeshme është dënuar gjerësisht nga institucionet e Kosovës. Presidenti i Kosovës Behgjet Pacolli dhe kryeministri Hashim Thaçi ritheksuan rolin e Shteteve të Bashkuara në historinë më të re të Kosovës.

http://www.youtube.com/embed/vI23vVTpocQ

Ne e dënojmë shumë këtë incident. Ky incident nuk është dashur të ndodhë. Ne do të shikojmë se çfarë e shtyu këtë të ri të bëjë këtë krim. Dhe ne të gjithë kosovarët njëzëri e dënojmë këtë shumë, shumë ashpër”, tha presidenti Pacolli.

Në emër të popullit të Kosovës, shprehi ngushëllimet më të sinqerta, presidentit Obama, qeverisë së SHBA-ve, popullit amerikan, për tragjedinë që ka ndodhur dje në Frankfurt. Veprimi i asnjë individi nuk mund të dëmtojë marrëdhëniet e mira në mes të Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, miqësinë e përjetshme në mes popullit të Kosovës dhe popullit amerikan. Miqësia jonë është e përjetshme, është shumë e thellë, është e vlerave euroatlantike. Ushtari amerikan sublimon, paraqet edhe vlerat e popullit tim, të paqes dhe lirisë së vendit dhe popullit tim”, tha kryeministri Thaci.

Ambasada amerikane në Prishtinë, dënoi sot vrasjen e djeshme në Gjermani, ndërsa nënvizoi se ky akt nuk dëmton marrëdhëniet ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës. Në një deklaratë për opinion thuhet se “Ambasada e Shteteve të Bashkuara i bashkohet Qeverisë dhe popullit të Kosovës në dënimin e sulmit të djeshëm në Frankfurt-Gjermani, që mori jetën e dy amerikanëve dhe plagosjen e dy të tjerëve”.

Ambasada amerikane falënderon qeverinë dhe presidentin e Kosovës për deklaratat e tyre të ngushëllimit dhe të përkrahjes. “Ne jemi të vetëdijshëm se populli i Kosovës është gjithashtu i tronditur me këtë krim neveritës që është një fyerje për vlerat dhe traditat e popullit shqiptare. Akti i një individi të vetëm nuk do të ndikoje në asnjë mënyrë në miqësinë e thellë dhe të qëndrueshme mes dy vendeve tona, ose në marrëdhënie jashtëzakonisht të ngrohtë dhe të ngushtë të popujve tanë dhe qeverive”, thuhet në deklaratën e ambasadës amerikane e cila ka hapur edhe një libër ngushëllimesh në mjediset e saj.

Qytetarë nga Mitrovica kishin ardhur për të shprehur ngushëllimet e tyre për qeverinë dhe popullin amerikan.

Njeri pa ndjenja. Unë nuk kam koment. Nuk po di çka me thanë, vec shumë jam i mërzitur dhe i pikëlluar për këtë lajm që e dëgjuam mbrëmë dhe u shprehu ngushëllime gjithë amerikanëve nga populli i Kosovës dhe familjarëve të tyre”, thotë një qytetar nga Mitrovica. Ndërsa miku i tij thekon se “nuk janë populli shqiptar kështu. Një individ e ka bërë një gjë të tillë se populli i Kosovës gjithmonë ka qenë dhe janë me popullin amerikan”.

Parlamenti i Kosovës filloi seancën e sotme me një minutë heshtje në shenje nderimi për viktimat e sulmit të djeshëm. Kryetari i këtij parlamenti, Jakup Krasniqi, me këtë rast ka shprehur indinjatën e tij të thellë për krimin e shëmtuar ndaj ushtarakëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Bashkësia Islame e Kosovës është shprehur e tronditur me ngjarjen. Në një deklaratë të kryesisë së kësaj bashkësie dënohet, siç thuhet, “çdo akt terrorist pavarësisht se kush e kryen atë, pa marrë parasysh qëllimin dhe motivin, ndora theksohet se ky rast është edhe më i rënd meqë në të është përfshirë një individ me origjinë nga Kosova. Të sulmosh ushtarët e një vendi mik që ndihmuan në çlirimin e Kosovës, përpos që është një akt makabër e terrorist, s’ka dyshim se është edhe një atak kundër Kosovës dhe popullit të saj si dhe kundër interesave të popullit shqiptarë”, thuhet në deklaratë në të cilën nënvizohet se “populli i Kosovës dhe besimtarët e saj nuk kanë asgjë të përbashkët me dhunën, vrasjet e terrorizmin”. Bashkësia Islame i shpreh mirënjohjen shtetit dhe popullit amerikan, për kontributin e dhënë për Kosovën dhe vlerat demokratike, ndërsa shpreh bindjen se ky akt nuk do të ndikoj në marrëdhëniet e veçanta me popullin dhe Qeverinë amerikane.

Kosova shpalli pavarësinë në shkurt të vitit 2008, ndërsa roli i Shteteve të Bashkuara vlerësohet i pazëvendësueshëm edhe për çlirimin e saj. Edhe më tej rreth 800 trupa amerikane shërbejnë në kuadër të forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë.