Kosovë: Ambasada amerikane dënon përdhosjen e varrezave hebraike në Prishtinë

Kosovë: Ambasada amerikane dënon përdhosjen e varrezave hebraike në Prishtinë

Ambasada amerikane në Prishtinë, u ka bërë thirrje autoriteteve të Kosovës që të kryejnë hetime të hollësishme dhe të vënë para drejtësisë përgjegjësit e një incidenti në varrezat hebraike në Prishtinë të cilët kishin vizatuar kryqin e thyer nazist mbi to.

Në një komunikatë për opinion thuhet se “ambasada e Shteteve të Bashkuara dënon fuqimisht përdhosjen e varrezave hebraike në lagjen Velania të Prishtinës. Kjo vepër e urrejtjes përbën fyerje jo vetëm ndaj familjeve të të varrosurve aty dhe ndaj komunitetit hebraik në Kosovë dhe përtej, por po ashtu është fyerje ndaj shtetit dhe shoqërisë shumetnike kosovare. Kjo është një vepër e përbuzjes së normave më themelore të tolerancës, bashkëjetesës dhe respektit dhe nuk mund të tolerohet”, thuhet në komunikatë.

Në qershor të këtij viti, studentët e Universitetit Amerikan në Kosovë ishin përfshirë në një projekt të restaurimit të varrezave hebraike. Ambasada në reagimin e saj e vlerëson inicidentin “si sulm ndaj veprës së tyre të miqësisë dhe vullnetarizmit”.

Nuk është dhënë ende ndonjë hollësi nga organet e rendit lidhur me këtë incident.