Kosovë: Aeroporti i Prishtinës nga sot në duart e koncesionarëve

Kosovë: Aeroporti i Prishtinës nga sot në duart e koncesionarëve

Aeroporti i Prishtinës, i vetmi aeroport për fluturime civile në vend, për 20 vitet e ardhshme do të drejtohet nga një kompani franko-turke. Në një ceremoni të posaçme konsorciumi franko turk "Limak-Aeroport de Lyon" mori përsipër drejtimin e aeroportit që mban emrin “Adem Jashari”.

Me këtë fillon edhe zbatimi i marrëveshjes për dhënien me koncesion të aeroportit për 20 vjet, gjatë së cilës kompania franko turke është pajtuar të të investojë 100 milion euro, të ndërtojë edhe një terminal të ri të udhëtarëve ndërsa qeverisë së vendit do t’i paguajë mesatarisht rreth 40 për qind të të ardhurave.

Ky është rasti i parë të dhënies me koncesion të një projekti të madh në Kosovë, ndërsa aeroporti i Prishtinës është një nga tri kompanitë më fitimprurëse në vend.

Brenda vitit nëpërmjet aeroportit të Prishtinës udhëtojnë mbi 1 milion e 200 mijë udhëtarë, duke e bërë atë një prej aeroporteve më të ngarkuara në Ballkan.

Ky aeroport para vetëm pak vitesh u është dorëzuar nën mbikëqyrje autoriteteve të vendit, pas një periudhe disa vjeçare të kontrollit nga forcat paqeruajtëse të NATO-s.

Autoritetet thonë se nga viti në vit numri i udhëtarëve është rritur, por jo edhe mundësitë e tij për të ofruar shkallën e duhur të shërbimeve apo për të rritur fitimet e tij.