Në Kosovë, presidenti Hashim Thaçi, ritheksoi idenë për korrigjimin e kufirit me Serbinë, si mundësi të arritjes së marrëveshjes me Serbinë, ide kjo për të cilën nuk po gjen mbështetje nga politika në vend.
Analistët thonë ndërkaq se mundësia e ndryshimit të kufijve ekziston, por mbetet çështje shumë e ndërlikuar dhe tash për tash mundësitë për një marrëveshje të shpejtë mes palëve, megjithë këmbënguljen e Brukselit, duken të pakta.
Your browser doesn’t support HTML5
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, po vazhdon të mbrojë idenë e tij për korrigjimin e kufirit me Serbinë, si rrugë për të zgjidhur mosmarrëveshjet në mënyre paqësore, me gjithë kundërshtimin e gjerë ndaj ideve të tij në Kosovë.
Të enjten ai sërish kritikoi kryeministrin Ramush Haradinaj, i cili disa herë ka ritheksuar se ndryshimi i kufijve, mund të çojë në përsëritjen e tragjedive të së kaluarës.
Të mërkurën kryeministri Haradinaj tha në një intervistë në emisionin “Opinion” në televizionin Klan në Tiranë se “vetëm çizmet ushtarake dhe forca vendosin kufij".
“Ata që po flasin për luftëra, unë jam duke i penguar, kush të ka qejf le ta fillon luftën. 430 kilometra janë kufi me Serbinë udha e mbarë dhe le të shkojnë. Lufta nuk zhvillohet në studio televizive por në istikame”,tha presidenti Thaçi, duke ju kundër përgjigjur deklaratës së kryeministrit.
Kjo përplasje deklaratash ndërmjet dy udhëheqësve të institucioneve të Kosovës ka vazhduar që nga hapja e debatit për mundësinë e ndryshimit të kufijve si rrugë për arritjen e marrëveshjes ndërmjet Kosovës e Serbisë. Idetë e presidentit Thaçi po kundërshtohen ashpër nga opozita ndërsa lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar edhe protesta.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili këtë fundjavë shkon në New York, tha se ka një mundësi që atje të zhvillojë një takim të shkurtër me presidentin amerikan, Donald Trump gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
“Dëshiroj edhe njëherë të shprehë falënderimin e plotë edhe për presidentin Trump edhe nënpresidentin Pence dhe gjithë administratën amerikane që po i japin mbështetje të plotë procesit të negociatave Kosovë-Serbi dhe progresit në Kosovë. Është fat se çdo hap që kemi ndërmarr deri më tani e kemi bërë në mënyrë të bashkërenduar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian”,tha presidenti Thaçi.
Debatet rreth marrëveshjes përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përfshinë edhe dallimet e shfaqura në komunitetin ndërkombëtarë, një pjesë që ka kundërshtuar ndryshimin e kufijve dhe një pjesë tjetër që do të pranojë çdo marrëveshje që nuk destabilizon vendet e Ballkanit.
Drejtori ekzekutiv i Grupit Ballkanik për studimin e politikave, Naim Rashiti në një bisedë me Zërin e Amerikës thotë se procesi i bisedimeve ka vështirësi dhe paqartësi të mëdha për shkak të pritjeve të palëve. Ai thotë se edhe faktori ndërkombëtar ende nuk është i njëzëshëm dhe nuk i ka dhënë mbështetjen e plotë këtij procesi për ta përmbyllur nëpërmjet ndryshimit të kufijve.
“Presidenti Vuçiç ende nuk po mund të artikulojë njohjen e Kosovës si marrëveshje përfundimtare edhe nëse përfshihet ndryshimi i kufijve dhe këtu është problemi kryesor. Ndërsa, në anën tjetër, Prishtina vështirë që do të pranojë diçka pa njohje apo në mënyrë eksplicite të marr ulëse në OKB. Gjithnjë e më shumë po i rekomandohet Prishtinës nga miqtë që të mendojë për njohjen përfundimtare në mënyrë që ky proces të mos zgjatet dhe se dialogu Kosovë-Serbi të mos zgjatet për vite të tëra”,tha zoti Rashiti.
Zoti Rashiti thotë se mundësitë që të mos ketë marrëveshje deri në pranverën e vitit të ardhshëm, afat ky që është caktuar nga pala evropiane për shkak të zgjedhjeve brenda Bashkimit Evropian janë të mëdha. Sipas tij, një marrëveshje duke ndryshuar kufijtë duket shumë e vështirë.
Edhe te çështja e kufijve ka dallime shumë të mëdha në qëndrimet ndërmjet Kosovës e Serbisë, çka do të përfshinte ndryshimi i kufijve, cilat pjesë do të prekte, por ky proces nuk do të jetë i pamundur por shumë i komplikuar dhe do të duhej një besim i madh në mes të Kosovës e Serbisë për të arritur një paqe të tillë, sepse historikisht asnjëherë nuk ka ndodhë”,tha ai.
Ai thotë se qëndrimi ndërkombëtar kundrejt pavarësisë së Kosovës nuk ka ndryshuar, por marrëdhëniet kanë shkuar në një stad tjetër e që lidhet me aftësitë e Kosovës që të arrijë vet marrëveshje me Serbinë.
Një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është kusht për të dyja vendet për integrim në Bashkimin Evropian. Por, ende është e paqartë se çfarë mund të jetë ajo marrëveshje dhe çfarë janë mundësitë për arritjen e shpejtë të saj. Edhe në Beograd edhe në Prishtinë, bartësit e këtyre bisedimeve thonë se kanë pak shpresë për të.