Kosova: Lëvizja Vetëvendosje nuk heq dorë nga protestat, Presidentja Atifete Jahjaga takon udhëheqësit politikë

Kosova: Lëvizja Vetëvendosje nuk heq dorë nga protestat, Presidentja Atifete Jahjaga takon udhëheqësit politikë

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, pritet të takojë sot kryetarin e lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për të diskutuar mundësinë e shmangies së protestave të kësaj lëvizjeje të paralajmëruara për të dielën. Presidentja takoi mbrëmë edhe udhëheqësit tjerë politik, kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçi, kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës Isa Mustafa dhe nënkryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Blerim Shala. Nuk janë bërë të ditura hollësi nga takimet e mbrëmshme, në të cilat është diskutuar rrugëdalja nga situata e krijuar pas protestave të 14 janarit të lëvizjes Vetëvendosje.

Kjo lëvizje nuk ka hequr dorë nga planet e saj për të protestuar më 22 janar në përpjekje për të bllokuar vendkalimet kufitare me Serbinë në funksion të siç thuhet, nxitjes së zbatimit të masave të ndërsjella politike, ekonomike e tregtare. Vendimi i kësaj lëvizjeje për të vazhduar me planet e saj u publikua mbrëmë pak pas seancës së Parlamentit të Kosovës i cili miratoi një mocion me të cilin u shfuqizua mocioni i 7 dhjetorit i vitit të kaluar të këtij parlamenti për masat ë ndërsjella me Serbinë.

Në tekstin e mocionit thuhet se Parlamenti mirëpret marrëveshjet e arritura në bisedimet Kosovë – Serbi dhe mbështet zbatimin e tyre. Qeveria e Kosovës duhet të vendosë për masat përkatëse reciproke, për mbarëvajtjen e procesit të dialogut dhe zbatimin e marrëveshjeve. Qeveria duhet t’i raportojë Parlamentit lidhur me mbarëvajtjen e procesit të dialogut dhe reciprocitetit. Ky vendim hyn në fuqi në ditën e miratimit të tij dhe shfuqizon të gjitha vendimet e Parlamentit në lidhje me këtë çështje, thuhet në tekstin e mocionit, i cili u miratua vetëm dy ditë para mbajtjes së protestës së re të lëvizjes Vetëvendosje, e cila kërkon masa të ndërsjella politike, ekonomike e tregtare me Serbinë, siç ishte parashikuar në mocionin e 7 dhjetorit të vitit të kaluar.

Moszbatimi i atij mocioni kishte bërë që Vetëvendosje më 14 janar të organizojë protesta me të qëllim të bllokimit të vendkalimeve kufitare me Serbinë, të cilat përfunduan me përleshje të dhunshme me policinë. Dhjetëra protestues dhe pjesëtarë të policisë së Kosovës janë lënduar ndërsa afro 150 veta janë arrestuar të shtunën gjatë ndërhyrjes së policisë për të shpërndarë protestat e lëvizjes vetëvendosje e cila ka akuzuar qeverinë për moszbatim të vendimeve të Parlamentit dhe për dhunë ndaj protestuesve përfshirë edhe deputetët e kësaj lëvizjeje. Autoritetet thanë se policia veproi në bazë të ligjeve në fuqi dhe u zotuan për hetime të çdo rasti të mundshëm të përdorimit të forcës së tepruar, shqetësime të ngritura edhe nga organizata humanitare.