Kosova, katër vjet pas shpalljes së pavarësisë

  • Keida Kostreci

Kosova, katër vjet pas shpalljes së pavarësisë

Katër vjet pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, megjithë përparimet, ky vend përballet me sfida madhore si vendosja e një stabiliteti të qëndrueshëm, shtrirja e autoritetit qeverisës në gjithë territorin, si edhe mirëqenia afatgjatë e qytetarëve të saj. Në qendër të këtyre sfidave janë marrëdhëniet me Serbinë, e cila nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës.

Shqetësimet se pavarësia e Kosovës do të krijonte precedentë apo efekt domino që do të destabilizonte rajonin, janë hedhur poshtë nga rrjedha e ngjarjeve. Ambasadori Morton Abramowitz, që sot punon me organizatën Century Foundation thotë se zhvillime si ngritja e shtetit, formimi i institucioneve, kanë qenë pozitive. Por ai shton se probleme të tjera do të duan kohë të zgjidhen.

“Gjendja në veri nuk do të zgjidhet për një kohë të gjatë. Bashkimi Evropian luan me të (nuk merret seriozisht), Shtetet e Bashkuara nuk merren me të, Kosova varet tek të huajt që ta zgjidhin këtë problem dhe serbët nuk janë në gjendje që të përballen me humbjen e Kosovës”.

Ambasadori Abramowitz thotë se tani ka ardhur koha që Kosova të mbështetet tek vetvetja. Analisti Obrad Kesic, i firmës TSM Global Consultants thotë se situata është ende e pasigurt, me problemin e Veriut të pazgjidhur.

“Kjo është ndoshta sfida më e madhe aktualisht, si edhe zbatimi i marrëveshjeve që janë arritur mes Beogradit dhe Prishtinës”.

Situata në veriun e banuar me shumicë serbe që nuk njeh autoritetin e Prishtinës është e tensionuar që në korrik të vitit të kaluar kur qeveria e Kosovës ndërhyri për të imponuar rregullat doganore për importet nga Serbia. Banorët ngritën barrikada dhe debatet për statusin e kësaj zone u rihapën, përfshirë zërat për autonomi apo shkëmbim territoresh.

“E vetmja gjë pozitive që vjen nga tensionimi i kohëve të fundit, është që qeveria e Kosovës e ka bërë të qartë, ose më saktë e ka bërë perëndimin ta theksojë se veriu është pjesë e Kosovës dhe kjo ishte një arritje e rëndësishme dhe në një farë mënyre e frenoi nocionin e Serbisë se mund të merrnin njëkohësisht veriun e Kosovës dhe të ruanin aftësinë për të hyrë në Bashkimin Evropian”.

Alex Grigorev është President i Këshillit për Qeverisje Përfshirëse, një organizatë në Nju Jork dhe i ka ndjekur prej vitesh ngjarjet e lidhura me Kosovën. Ai thotë se ajo që po ndodh në veri, tregon se hapat e njëanshëm nuk janë rruga më e mirë për të zgjidhur problemet. Ai e pranon se është problem që të mos kontrollosh 10 për qind të territorit, por se është gjithashtu e vërtetë se në 13 vitet e fundit në veri është krijuar një realitet tjetër nga ai i pjesës qendrore ose jugore të vendit.

“Të veprosh pa u konsultuar me palën tjetër është problem dhe mendoj se e vetmja rrugë për të dalë nga kjo gjendje është përmes dialogut”.

Grupi Ndërkombëtar i Krizave u shpreh në një raport të fundit se të gjitha palët duhet të minimizojnë rrezikun e përshkallëzimit të konfliktit. Por zoti Abramowitz thotë se këto përpjekje nuk e zgjidhin problemin e 30 mijë serbëve në veri dhe i bën thirrje qeverisë së Kosovës të bëjë të gjitha përpjekjet për përmirësimin e jetës së tyre.

Zoti Kesic thotë se autoritetet serbe nuk kanë më ndikim tek serbët e veriut të Kosovës, që e ndjejnë veten si peng. Fakti që Serbia mban zgjedhje së shpejti dhe po përpiqet me të gjitha forcat të fitojë statusin e kandidatit në Bashkimin Evropian, krijon pengesa për zgjidhjen e shpejtë të situatës.

Në përpjekje për të sfiduar synimet për integrimin e veriut Por siç vëzhgon grupi i Krizave, mosmarrëveshja për doganat, është thjesht simptomë e mosmarrëveshjeve mes Serbisë dhe Kosovës, për sovranitetin, veçanërisht kur bëhet fjalë për Veriun. Zoti Abramowitz thotë se Serbia udhëhiqet nga politika e brendshme dhe shumë nga veprimet që bën kanë si arsye të plotësjnë kushtet e BE-së dhe jo të zgjidhin thelbin e problemit.

“Thelbi i problemit është mungesa e vullnetit nga ana e tyre për të njohur realitetin në Kosovë. Ata duket se janë zënë peng nga historia më shumë se çdokush tjetër”

Mosndryshimi i kushteve, lë në vend status-quo-në thotë zoti Kesic.

“Mund të krijohet një situatë e ngrirë, një pyetje e hapur si për statusin e veriut, por edhe të Kosovës vetë, që është diçka e ngjashme me situatën aktuale ku nuk ka zbatim të marrëveshjeve që krijon pasiguri jo vetëm përsa i takon Beogradit dhe Prishtinës, por edhe veriut dhe Prishtinës, dhe veriut me Beogradin. Dhe këtu jemi sot në gjendje status-quo-je”.

Një nga rrugët e zgjidhjes thotë zoti Kesic do të ishte synimi i përbashkët për integrim në Bashkimin Evropian që realizohet nëse zbatohen marrëveshjet.

“Me këtë skenar do të krijohet një situatë ku de facto Beogradi e pranon pavarësinë e Kosovës, por zyrtarisht nuk do ta njohë atë dhe unë mendoj se kjo është shpresa e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara”.

Por ndërsa kjo mund të jetë shpresa për ndërkombëtarët, vetë Bashkimi Evropian është i ndarë, pasi pesë nga anëtarët e tij nuk janë mes 86 vendeve që e njohin Kosovën.

Për të pasqyruar sesa e rëndësishme është shtimi i njohjeve të Kosovës, zoti Abramowitz sjell si shembull organizatën Human Rights Watch e cila e radhit Kosovën si pjesë të Serbisë.

“Mua më duket një gjë e tillë jashtëzakonisht indinjuese dhe u përpoqa me aq sa kisha mundësi t’i bindja që ta ndryshonin. Por ata këmbëngulin që nëse nuk ka më shumë njohje, nuk do ta ndryshojnë. Pra ata po mbështesin vendimin e tyre tek njohjet, jo tek ndonjë nocion sesi njihet një shtet. E përmend këtë shembull për të ilustruar sesa e vështirë është të shënosh përparim kur gjysma e botës nuk të njeh dhe ku një pjesë e konsiderueshme e komunitetit të Bashkimit Evropian është e ndarë për këtë çështje”.

Zoti Abramowitz thotë se Kosova ka punuar shumë në këtë drejtim dhe duhet të vazhdojnë punën dhe se Shtetet e Bashkuara nuk kanë ndihmuar sa ç’duhet.

Një faktor tjetër që ngadalëson procesin e integrimit është kriza që ka mbërthyer vendet e eurozonës e cila ndikon drejtpërdrejt tek vullneti për zgjerim. Zoti Grigorev thotë se Kosova duhet të punojë gjithsesi për të bindur këto vende për njohje, pasi nuk ka të ardhme për Kosovën pa anëtarësim në BE.

“Me këto pesë vende duhet punuar. Duhet më shumë theks tek ndërtimi i një shoqërie shumë etnike për të cilën qeveria po punon dhe është përparësi dhe kjo do t’i zbuste disa nga këto frika. Duhet punuar më shumë për shtetin ligjor, duhet të hapen çështjet, duhet luftuar korrupsioni”.

Ambasadori Abramowitz gjithashtu thekson se meqenëse zgjidhja e situatës në Veri nuk do të zgjidhet për një kohë të gjatë, Kosova duhet ta kthejë vëmendjen tek ato që mund të bëjë.

“Faza e ardhshme duhet të jetë përmirësimi i institucioneve, rritja e dinamizmit të ekonomisë së Kosovës, eliminimi i krimit dhe korrupsionit, forcimi i partive politike, përmirësimi i standardeve të arsimit. Këto janë për mendimin tim problemet më të mëdha dhe probleme që mund të zgjidhen”.

Transparency International e radhit Kosovën në vendin e 110 mes 178 vendeve në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit. Probleme të tjera të brendshme – përfshirë gjykimin e organizatës Freedom House se zgjedhjet e fundit parlamentare në vitin 2010 ishin më të këqijat që nga viti 1999 - nuk janë shumë të ndryshme nga sfidat e vendeve të tjera të rajonit, por ato rëndohen duke pasur parasysh kontekstin e gjerë të çështjeve të pazgjidhura me Serbinë dhe veriun. Kosova mbetet një nga vendet më të varfra në rajon, me papunësi 45 për qind, që në kushtet e një popullsie shumë të re në moshë bëhet edhe më e ndjeshme.

“Sigurisht që është një shoqëri e lënduar që ekonomikisht filloi nga zeroja. Të gjithë e dimë sesa i lartë është niveli i papunësisë, për problemet e jashtëzakonshme ekonomike, por mendoj se fakti që paqja u ruajt, dhe vendi po zhvillohet janë shumë të rëndësishme”.

Megjithatë fantazmat e së kaluarës e mundojnë stabilitetin e brishtë dhe pengojnë përparimin. Aktualisht një grup pune i EULEX-it i drejtuar nga një prokuror amerikan me përvojë po heton akuzat e raportit të parlamentarit svicerian Dick Marty, për përfshirje të ish-pjesëtarëve të UÇK-së mes së cilëve edhe zyrtarë të lartë aktuale, në rrëmbime dhe vrasje serbësh pas luftës, si edhe trafik organesh dhe krim të organizuar. Po ashtu hetimet për krime lufte ndaj figurave të rëndësishme në jetën e Kosovës, si Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj janë shoqëruar me pohime për frikësim dëshmitarësh.

Por këto ngjarje duhen parë duke pasur parasysh të kaluarën e dhimbshme të rajonit. Kosova ka Presidenten e parë grua në vend, Atifete Jahjaga, një ngjarje e rrallë për gjithë rajonin. Dhe Grupi Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën tha së fundmi se faza e pavarësisë së mbikqyrur mund të mbyllet në fund të këtij viti.