Kosovë: Vlerësohet figura e diplomatit Hollbruk

Kosovë: Vlerësohet figura e diplomatit Hollbruk

Në Kosovë, ndarja nga jeta e diplomatit amerikan Richard Holbrooke është cilësuar si një humbje e madhe për popullin amerikan, ndërsa janë kujtuar sot veprimet e tij në përpjekje për t’i dhënë fund luftës së Kosovës. Përfaqësues të Kosovës që kishin punuar në të kaluarën me zotin Holbrooke e vlerësuan lart rolin e zotit Holbrooke për paqen dhe lirinë në Kosovë. Ata vunë theksin në punën e tij jo vetëm për paqen e lirinë në Kosovë, por edhe në vende të tjera të botës.


Kryeministri i Kosovës në largim, Hashim Thaçi, vlerëson lartë figurën e diplomatit amerikan Richard Holbrooke ndërsa vdekjen e tij e cilëson si një humbje të madhe për popullin amerikan por edhe popullin e Kosovës.

Ambasadori Holbrooke ka qenë një kolos i diplomacisë amerikane për paqen dhe stabilitetin në Kosovë dhe rajon. Njeri i kontributit të madh për pavarësinë e Kosovës dhe sot i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Holbrooke, qeveris së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, presidentit Obama dhe popullit amerikan. Kosova do ta përkujtoj për jetë. Kam propozuar që një nga sheshet e Prishtinës të quhet “Ambasadori Holbrooke”, tha zoti Thaçi.

Ndërsa publicisti, Veton Surroi e kujton zotin Holebrooke si një njeri të mprehtë dhe të vendosur i cili e ka dashur paqen dhe lirinë e popujve në Ballkan dhe e ka ndihmuar shumë këtë proces. Ai erdhi në çastet kritike kur zgjerohej lufta në Kosovë dhe kur përgatitej një proces negociatash..

Ai frenoi operacionet luftarake me kërcënimin e NATO-s në tetor, krijoi armëpushimin dhe krijoi mundësinë që edhe Kosova politike e ushtarake të përpiqet ta marrë veten, por edhe bashkësia ndërkombëtare të krijonte një platformë unike për procesin negociator që do të ndodhte pastaj në Rambouillet. Ishte një njeri i cili e kishte ende kërshërinë e atij djalit të ri që kishte filluar karrierën në Vietnam dhe përpiqej të takonte njerëz, të shkonte, të shihte. Njëherë dolëm unë dhe ai dhe u takuam me komandantin e postblokut të policisë serbe me një pyetje të thjeshtë “çka po kërkon këtu, çka po ruan ti këtu?”. Nuk përtoi dhe erdhi me neve në Junik të takohet me UCK-në. Kështu që ishte një njeri i cili nuk përpiqej ta kuptonte diplomacinë nga analiza, nga letrat, por në takim të drejtpërdrejtë dhe duke vlerësuar njerëzit”, tha zoti Surroi duke theksuar se njerëzit si zoti Holbrooke “është nga ato figura që gradualisht shndërrohen në shëmbëlltyra, në idole për gjeneratat e reja të diplomatëve

Nënkryetari i Aleancës për Ardhëmrinë e Kosovës Blerim Shala i cili ishte pjesë e ekipit të negociuesve për paqen në Kosovë tha se vdekja e zotit Holbroke ishte lajm i hidhur për Kosovën të cilës i ishte gjetur në kohëra të vështira.

Ne si ekip negociator, më kujtohet, në majin e vitit 1998, kur morëm vesh që po vjen Holbrooke, morëm frymë lirisht. E dinim se po vjen zgjidhja e çështjes së Kosovës, sepse e dini, ju kujtohet atëherë qe krijuar përshtypja se aty ku është më se keqi vjen Holbrook dhe e zgjidh problemin. Dhe erdhi në majin e vitit 98 me qëllim të qartë, që të kontribuojë ne çlirimin e Kosovës dhe pavarësimin e saj. Në bisedat që kam pasur me të dhe që i kemi pasur edhe disa të tjer me të, ai kurrë nuk e ka fshehur se çfarë duhet të ndodhë me Kosovë, Në vitet 98/99 ai ka thënë se Kosova duhet të bëhet shtet i pavarur dhe që populli i përvuajtur i Kosovës duhet më në fund të qetësohet. Një porosi shumë të rëndësishme që ma ka thënë ishte, ‘ju për herë të parë do të udhëhiqni vetveten dhe mos e humbni këtë rast historik’. Na ka ndihmuar edhe në vitet 98/99. Na ka ndihmuar ju kujtohet në vitin 2003 kur erdhi me Bernard Kouchner e tha se “po bëhet vonë për Kosovën”. Fatkeqësisht pas gjashtë muajsh ndodhën trazirat e marsit. Por edhe gjatë tyre na ka ndihmuar duke u thënë diplomatëve perëndimore ‘a e shihni që është dashur të bëjmë diçka, ta zgjidhim statusin e Kosovës’. Ka qenë një ithtar i madh i pavarësisë së Kosovës dhe i veprimeve konkrete të SHBA dhe perëndimit për Kosovën”. tha zoti Shala.

Diplomati Holbrooke çmohet jo vetëm për rolin që ka pasur në vitin 1998, në kohën e përpjekjeve për t’i dhënë fund luftës në Kosovë por edhe për mbështetjen e proceseve politike të pasluftës në Kosovë.