Kosova, hapi sot studimin e fizibilitetit për përfshirjen në marrëveshjen e stabilizim asocimit me Bashkimin Evropian. Komisioneri për zgjerim i Bashkimit Evropian Stefan Fule, u dorëzoi autoriteteve të Kosovës dokumentin për fillimin e këtij studimi, që sipas tij shënon një epokë të re të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Dorëzimi i dokumentit u bë në fillim të punimeve të Këshillit Kombëtar për Integrime Evropiane i themeluar nga presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga. Zoti Fule tha se kjo është rruga që kanë ndjekur të gjitha vendet e rajonit dhe se ky studim do të përfshijë të gjitha kriteret që duhet përmbushur për t’u përfshirë në marrëveshjen e stabilizim asocimit me Bashkimin Evropian. Kosova, tha ai, duhet të përqendrohet në çështjet që janë të një rëndësie të posaçme për këtë studim.
“Do të doja që të nënvizoja disa prej tyre si, tregtia, reforma në administratën publike, reforma zgjedhore, sundimi i ligjit dhe integrimi i pakicave. Është me rëndësi që të sigurohet që kjo pasqyron një përparim maksimal dhe kjo kërkon një mbështetje të gjerë publike dhe përkushtim të të gjithë spektrit politik”, tha zoti Fule, sipas të cilit vitit 2012 është një vit i mundësive për Kosovën. Ai tha se gjatë pranverës Kosova do të marrë udhërrëfyesin për liberalizmin e vizave, të përfshihet në procesin e anëtarësimit në Bankën Evropiane për Rindërtim e Zhvillim si dhe të fillojë dialogun e strukturuar me Bashkimin Evropian për sundimin e ligjit
Presidentja e Kosovës Atifete Jahjga tha se Kosova dhe populli i saj i përkasin qytetërimit evropian, si përcaktim properëndimor i të gjithë qytetarëve pa dallim.
“Rruga e Republikës së Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO është synim dhe vullnet i yni për të cilin të gjitha grupimet politike por edhe të gjitha nacionalitetet që jetojnë këtu, kemi konsensus të plotë. Jemi plotësisht të ndërgjegjshëm se kjo rrugë nuk është shpërblim por është një mekanizëm gjithëpërfshirës i plotësimit të kushteve dhe standardeve, të cilat ne si institucione por edhe si shoqëri, i kemi marrë t’i përmbushim me vullnet. Kjo rrugë nuk ka alternativë dhe ne si vend dhe si popull mund dhe duhet t’i japim kontributin arkitekturës Evropiane të kombeve të lira dhe të barabarta”, tha presidentja Jahjaga.
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi tha se ky është një hap i rëndësishëm në rrugëtimin e Kosovës drejt Bashkimit Evropian, duke u zotuar për përmbushjen e të gjitha kritereve të domosdoshme për përfshirjen në këtë proces.
“Nëse dekada e parë e këtij shekulli mund të konsiderohet si periudhë e krijimit të shtetit të Kosovës, kjo dekadë është dekada e Evropianizimit dhe Integrimit te Kosovës në strukturat Euro-Atlantike. Pra, vizioni im i Kosovës në fund të kësaj dekade është vizion i Shtetit tonë të dashur, si shtet i bazuar në dije, me mirëqenie socio-ekonomike për të gjithë qytetarët e Kosovës, të integruar në BE dhe NATO. Prandaj, lajmi i shumëpritur i fillimit të Studimit te Fizibilitetit për Marrëveshjen Stabilizim Asociim është një rikonfirmim i rrugës së sigurt të Integrimit të Kosovës në Bashkim Evropian. Përfundimi i studimit te fizibilitetit me rekomandim të inicimit të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim mund të konsiderohet si një arritje më madhe e Kosovës në historinë e procesit të integrimit në Bashkim Evropian”, tha kryeministri Thaçi.
Fillimi i studimit të fizibilitetit u bë i mundur pas marrëveshjes së arritur në fillim të muajit mars ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për përfaqësimin rajonal të Kosovës, që përfshinë Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi deklaratën e pavarësisë së Kosovës”. Marrëveshja e cila i mundësoi Serbisë ndërkaq të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian u kritikua ashpër në Kosovë ku opozita e cilësoi si heqje dorë nga Republika. Por, autoritetet thanë se fqinjësia e mirë ndërmjet vendeve dhe popujve është parimi i artë i Evropës së Bashkuar dhe një ndër parakushtet kryesore të politikës së integrimit.
“Për këtë - dialogun që po zhvillohet në Bruksel ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë e kam mbështetur dhe e kam vlerësuar si tejet të dobishëm për dy vendet tona, sepse kjo është jo rruga më e mirë por rruga e vetme që ne t’ i normalizojmë marrëdhëniet mes vete dhe si të vetmen mënyrë që e detyrojmë Serbinë t’i përmbushë obligimet e veta, të pranojë realitetin e krijuar dhe të sillet konform rregullave dhe normave ndërkombëtare në politiken e saj fqinjësore”, tha presidentja Jahjaga.
Zoti Fule tha se Prishtina duhet të hartojë një strategji gjithëpërfshirëse për veriun e Kosovës, por çështja nëse kjo do të jetë temë e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk përcaktohet nga Bashkimi Evropian.
“Kjo u takon Prishtinës dhe Beogradit. Ju e përcaktoni rendin e ditës së bisedimeve dhe as unë e askush nga Brukseli nuk do të vijë e të përcaktojë rendin e ditës”, tha zoti Fule duke nënvizuar ndërkaq se Serbisë i janë vënë kushte për rrugën e saj të integrimeve evropiane.
“Kjo ka të bëjë me normalizimin e mëtejmë të marrëdhënieve me Kosovën. Madje ne kemi shkuar edhe më tej duke nënvizuar zbatimin e marrëveshjeve të arritura, ndërsa ka edhe elemente të tjera përfshirë edhe zgjidhjen e çështjes së strukturave paralele në veri”, tha zoti Fule.
Autoritetet në Kosovë presin qw studimi fizibilitetit qw filloi sot, të përfundojë deri në tetor të këtij viti dhe me këtë i hapet rruga fillimit të Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim të Kosovës me Bashkimin Evropian, që është parakusht para se ajo të kërkojë statusin e vendit kandidat për anëtarësim.