Kosova dhe Serbia në raundin e tetë të bisedimeve

Kosova dhe Serbia në raundin e tetë të bisedimeve

Delegacionet e Kosovës dhe Serbisë po takohen sot në Bruksel pak ditë para se të merret vendimi nëse Serbisë do t’i jepet apo jo statusi i vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Bisedimet e sotme përfshijnë çështjen e pjesëmarrjes së Kosovës në nismat rajonale, por kryesorja është çështja e vendkalimeve kufitare në veriun e Kosovës.

Prishtina është shprehur e gatshme të diskutojë për menaxhimin e përbashkët të kufirit, ndërsa Beogradi thekson se nuk do të pranojë asnjë marrëveshje që nënkupton njohje të kufirit me Kosovën.

Shefja e delegacionit të Kosovës, Edita Tahiri tha para fillimit të takimit të sotëm se ka ardhur koha që Serbia të njohë realitetin e ri në Kosovë, për t'i ndihmuar kësisoj edhe qëndrueshmërisë së rajonit. Ajo tha se bisedimet e sotme duhet të prodhojnë marrëveshje që do të zbatohen.

Shefi i delegacionit të Serbisë, Borisllav Stefanovic shfaqi shpresën se bisedimet do të jenë të suksesshme, duke u angazhuar për siç tha tejkalimin e dallimeve. Por, ai theksoi se bisedimet nuk duhet të zhvillohen nën trysninë e çështjes së kandidaturës së Serbisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Bisedimet e sotme ndodhin në një periudhë të zhvillimeve të dhunshme në veriun e Kosovës ku gjatë ditëve të fundit të paktën 30 pjesëtarë të KFOR-it u plagosën gjatë përleshjeve me protestuesit serbë që po mbajnë të bllokuara rrugët në atë zonë në shenjë kundërshtimi ndaj shtrirjes së autoritetit të Prishtinës.

Dhuna është dënuar gjerësisht nga autoritetet ndërkombëtare dhe ato vendase, ndërsa forcat paqeruajtëse thanë se do të përdorin të gjithë mjetet e përshtatshme për të mbrojtur jetën e ushtarëve të KFOR-it.

Në prag të bisedimeve të sotme, presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, bëri thirrje për largimin e barrikadave në veriun e Kosovës duke nënvizuar se ato nuk sigurojnë mbrojtjen e asnjë interesi kombëtar të serbëve, përkundrazi, sipas tij, shkallëzimi I dhunës rrezikon atë interes. Ai tha se për shkak të zhvillimeve të djeshme, Serbia sot është më larg statusit të vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian sesa që ishte një ditë më herët.

Javën që vjen pritet vendimi rreth propozimit që Serbisë t’i jepet ky status, por, kusht është përparimi në përmirësimin e marrëdhënieve me Kosovën që nënkupton shtendosjen e situatës në veriun e Kosovës.

Qëndrimet e presidentit serb nuk janë komentuar ende në Prishtinë, ndërsa në Serbi kanë nxitur reagime të ndryshme. Derisa një pjesë e forcave politike atje e kanë mbështetur atë, opozita e ka kritikuar ashpër duke e cilësuar këtë si njohje të pavarësisë së Kosovës.