Kosova dhe Serbia arrijnë marrëveshje për vendkalimet kufitare

Kosova dhe Serbia arrijnë marrëveshje për vendkalimet kufitare

Kosova dhe Serbia janë dakorduar për normalizimin e procedurave kufitare në kuadër të konceptit për menaxhimin e përbashkët të kufirit, një prej cështjeve më të mprehta në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Në një komunikatë për opinion të ndërmjetësit të Bashkimit Evropian, Robert Cooper, thuhet se “palët janë pajtuar që gradualisht të vendosin postat kufitare të përbashkëta, të integruara, të vetme dhe të sigurta në pikë-kalimet e tyre të përbashkëta. EULEX-i do të jetë i pranishëm në pajtim me mandatin e tij. Koncepti I menaxhimit të përbashkët të kufirit do të zbatohet gradualisht sa më parë që është e mundur në pikëpamje praktike”.

Në komunikatë thuhet se palët kanë zhvilluar diskutime thelbësore për bashkëpunimin e frytshëm dhe gjithëpërfshirës rajonal dhe janë arritur përparime të mira. Ato do t’i kthehen kësaj cështjeje në takimin e radhës. Po ashtu në takime është diskutuar për zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tash, dhe pritet që marrëveshja për lëvizjen e lirë, të fillojë të zbatohet më 26 dhjetor 2011.

Shefja e delegacionit të Kosovës Edita Tahiri, tha se marrëveshja për menaxhimin e përbashkët të kufirit përfshinë 6 vendkalime kufitare ndërmjet Kosovës e Serbisë. Me këtë marrëveshje, sipas saj, “janë mbrojtur interesat kombëtare të Kosovës dhe është respektuar Kushtetuta e saj”.

Por, shefi i delegacionit serb, Borisllav Stefanovic, u tha mediave serbe është shënuar përparim i madh në bisedime, por ende nuk ka një marrëveshje të qartë dhe kjo cështje do të vazhdojë të diskutohet edhe sot.

Përparimi në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian është parë si kusht themelor për Serbinë që të fitojë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Por, vendet e Bashkimit Evropian janë të ndara rreth kësaj cështjeje, për shkak të dhunës në veriun e Kosovës ku gjatë javës që po lëmë pas, disa dhjetëar ushtarë të NATO-s u plagosën në përleshje me protestuesit serbë që kundërshtojnë shtrirjen e autoritetit të Prishtinës në atë zonë.

Serbët në veriun e Kosovës kanë vendosur barrikada që nga muaji korrik, kur qeveria e Kosovës u përpoq të merrte nën kontroll vendkalimet kufitare me Serbinë. Të martën presidenti i Serbisë Boris Tadiç bëri thirrje për largimin e barrikadave, por diplomatët thanë se thirrjet duhet të pasohen nga veprime konkrete.

Më e prera në qëndrimin e saj ishte kancelarja gjermane Angela Merkel e cila tha se Serbia nuk i ka përmbushur kushtet për afrimin e saj me strukturat e Bashkimit Evropian, ndërsa ka krijuar një mjedis për dhunë në veriun e Kosovës. Ajo tërhoqi vërejtjen se rruga e Serbisë drejt Bashkimit Evropian mund të realizohet vetëm nëpërmjet normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën.

Zyrtarët evropianë kanë thënë se Serbia duhet të gjejë një zgjidhje nëse kërkon të avancojë me kandidaturën për në Bashkimin Evropian. Vendimi për këtë çështje pritet të merret javën që vjen. Njëkohësisht Prishtina pret që të marrë udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave si shpërblim për qasjen ndaj procesit të bisedimeve.