Gjatë pjesës së parë të këtij viti, rreth 130 persona nga vende të ndryshme të botës kanë kërkuar strehim në Kosovë. Ata vijnë kryesisht nga vendet e përfshira nga krizat siç janë Pakistani, Afganistani, Bregu i Fildishtë, Somalia etj. Nga ky numër 42 kanë fituar statusin e të strehuarit, ndërsa pjesa tjetër janë duke ju nënshtruar proceseve ligjore. Trajtimi i strehim kërkueseve është pjesë e standardeve që Kosova duhet ti përmbushë për t’u afruar me strukturat euroatlantike, përkatësisht liberalizimin e vizave për qytetarët e saj.
Autoritetet thonë se strehimkërkuesit e përdorin Kosovën më shumë si vend transit dhe më pak si vendqëndrim. Bashkërenduesi i qendrës së strehimit, Fitim Zariqi thotë po bëhen përpjekje për një trajtim sa më të mirë të strehimkërkuesve.
“Momentalisht kemi 22 azilkërkues, ata janë të lirë të lëvizin pasi të akomodohen nëse një gjë e tillë nuk u është ndaluar për arsye të caktuara. Ka edhe fëmijë të akomoduar këtu, pasi që kemi edhe familjarë, momentalisht kemi dy familje, ka pasur edhe më shumë. Kapaciteti në qendër është për 22 persona, momentalisht i kemi vetëm 22 nuk kemi më shumë, në të kundërtën kemi edhe një hotel të kontraktuar prej Ministrisë së Punëve të Brendshme, ku mund t’i akomodojmë. Hoteli ka një kapacitet deri në pesëdhjetë persona, kështu që qendra më shumë ka mandat që të akomodoj azilkërkues, kurse për çështjen e statusit të azilkërkuesve merret Divizioni për Azil”, thotë ai.
Ndonëse i është refuzuar kërkesa për strehim azilkërkuesi nga Iraku thotë se ka dhjetë muaj që qëndron në Kosovë.
“Njerëzit në Kosovë janë shumë të mirë, së pari sepse ata janë myslimanë. Është vend i vogël dhe shumë i bukur, veçanërisht sheshi “Nënë Tereza”, edhe vajzat janë shumë të bukura”, thotë ai.
Qendra për Azil në Prishtinë është hapur në shkurt të vitit 2010, ndërsa këtë muaj pritet të hapet edhe një qendër tjetër në afërsi të Prishtinës.
Adresimi i çështjeve që kanë të bëjnë me migracionin është një prej kushteve themelore për liberalizimin e vizave për Kosovën që është vendi i vetëm në Evropën Juglindore që ka mbetur jashtë këtij procesi. Në këtë kuadër hyn edhe ri-integrimi i personave të riatdhesuar dhe autoritetet thonë së janë të përkushtuara të përmbushin kriteret në kohën kur kanë mbetur pak muaj deri tek përmbyllja e raportit të progresit të Komisionit Evropian ku pritet të përfshihet edhe vlerësimi zyrtar për Kosovën në fushën e liberalizimit të vizave.