Të enjten e kaluar, Dino Asanaj ndërroi jetë nga pasojat e plagëve që kishte marrë nga goditjet me thikë.
Zyrtarë të Misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit thanë se rezultatet e autopsisë, dëshmojnë se kryetari i Bordit të Agjencisë së Privatizimit, Dino Asanaj, ka kryer vetëvrasje.
Të enjten e kaluar, më 14 qershor, policia e Kosovës tha se 55 vjeçari Asanaj u gjet në zyrën e tij private në periferi të Prishtinës, i plagosur rëndë nga goditjet me thikë dhe ndërroi jetë më pas në spital.
Një ekip mjekoligjor i përbërë nga specialistë vendas dhe të EULEX-it, u angazhua në autopsi dhe sipas tyre, “nuk është gjetur asnjë shenjë që do të dëshmonte diç tjetër, përveç vetëvrasjes”.
Njëri nga ekspertët e mjekësisë ligjore i angazhuar në këtë rast, Arsim Gërxhaliu, tha se i ndjeri e kishte qëlluar vetën 9 herë me thikë në fyt dhe dy herë në gjoks dhe se këto të fundit ishin vdekjeprurëse.
Një pjesë e shtypit në Prishtinë, që ditën e parë e kishte ngritur mundësinë e vetëvrasjes, një teori për të cilën ende ekzistojnë dyshime të thella për faktin se ai u gjet me shumë plagë të shkaktuara nga thika.
Vdekja e zotit Asanaj nxiti shumë reagime të institucioneve vendase e ndërkombëtare, ndërsa la të hapura shumë debate mbi rrethanat por edhe motivet e kësaj ngjarjeje.
Shqiptaro-amerikani, Dino Asanaj, emigroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 1985. Gjatë luftës së Kosovës veproi si përfaqësues i ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa për një periudhë pas luftës ai shërbeu si këshilltar i kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi.
Pas shpalljes së pavarësisë, ai u emërua në postin e drejtorit të bordit të Agjencisë së Privatizimit në Kosovë, të cilën e drejtoi deri në ditën kur ndërroi jetë.