Në Kosovë vazhdojnë debatet për zgjidhjen e ngërçit politik

  • Leonat Shehu
    Prishtinë

Në Kosovë vazhdojnë debatet për zgjidhjen e ngërçit politik

Në Prishtinë, udhëheqësit kryesorë politikë po zhvillojnë debate për tejkalimin e ngërçit politik të krijuar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese e cila e shpalli jo kushtetuese zgjedhjen e presidentit të Kosovës. Larg syve të opinionit, ambasadori amerikan Christopher Dell po vazhdon këshillimet me kryeministrin Hashim Thaçi dhe kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës Isa Mustafa, rrugët për gjetjen e një zgjidhjeje për funksionimin e institucioneve të vendit dhe shmangien e zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Nuk është dhënë asnjë hollësi nga takimet për të cilat foli vetëm kryetari i Lidhjes Demokratike Isa Mustafa i cili përsëriti kërkesat e partisë së tij, të vëna si kushte për mbështetjen e zgjedhjes së presidentit të ri dhe tejkalimin e situatës aktuale.

“Kërkesat kanë qenë ato që ne i kemi dhënë, do të thotë të bëhet reforma e sistemit zgjedhor, ndryshimi i kushtetutës sa i përket zgjedhjes së Presidentit në mënyrë që ai të zgjidhet drejtpërdrejt, të caktohet afati i ndryshimit të Kushtetutës dhe afati i ndryshimit të ligjeve zgjedhore për Presidentin dhe ligjit për zgjedhje të përgjithshme dhe po ashtu të caktohet një afat në të cilin do të shkojmë në zgjedhje të përgjithshme”, tha zoti Mustafa.

Zoti Mustafa shfaqi shpresën për një marrëveshje ndërmjet forcave politike, një qëndrim që e kishte shprehur edhe në një takim me ushtruesin e detyrës së presidentit, Jakup Krasniqi. Ky i fundit filloi sot një seri takimesh me partitë parlamentare për të diskutuar rrugëdaljen. Ai tha se pas takimeve veç e veç pret që javën që vjen të ketë një takim të të gjitha partive së bashku. Por, gjithçka do të varet nga këshillimet që po zhvillohen në të dy krahët dhe që sipas zotit Krasniqi dëshmon se partitë janë të gatshme të bisedojnë për një konsensus.

“Mendoj se me rëndësi është që të arrihet një marrëveshje politike për të dal nga situata në të cilën jemi. Dy proceset kanë një qëllim”, tha zoti Krasniqi.

Ndërkaq, nënkryetari i Parlamentit të Kosovës, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca tha se kjo lëvizje do të bëhej pjesë e procesit të zgjedhjes së presidentit vetëm në rast se ai do të plotësonte tri kushte.

“Ne shpjeguam se çfarëdo bashkëpunimi i Lëvizjes Vetëvendosje me subjektet tjera politike do të kanalizohet nëpërmjet tri kushteve tona që i kemi. Nëpërmjet këtyre tri procese që janë shume të rëndësishme, që të ndalet plani i Ahtisarit, që të ndalen negociatat me Serbinë dhe që të ndalet kjo shitje e pasurive tona kombëtare”, tha zoti Konjufca.

Bojkotimi nga ana e opozitës i seancës së 22 shkurtit në Parlamentin e Kosovës, kur u votua për zgjedhjen e Behgjet Pacollit në postin e presidentit bëri që Gjykata Kushtetuese ta shpallë vendimin jo kushtetues. Një rivotim, pa opozitën do të ishte i pamundur, meqë koalicioni nuk do të kishte numrin e mjaftueshëm prej të paktën 80 deputetësh në Parlamentin 120 vendesh të Kosovës. Ndërkaq, sqarimi i Gjykatës Kushtetuese se vendi nuk ka boshllëk institucional meqë ka ushtrues detyre të presidentit, ka krijuar hapësirë për debate ndërmjet forcave politike për tejkalimin e situatës.

Zgjedhja e presidentit më 22 shkurt pasoi marrëveshjen ndërmjet Partisë Demokratike të kryeministrit Hashim Thaçi dhe Aleancës Kosova e Re të zotit Behgjet Pacolli për krijimin e koalicionit qeverisës. Kjo marrëveshje nuk ishte parë me sy të mirë as nga një pjesë e Partisë Demokratike, brenda së cilës janë ri ngritur sërish mospajtimet me këtë marrëveshje dhe me kandidimin e zotit Pacolli për këtë post.