Korrupsioni, Kryeministri Berisha: Të hetohen të gjitha akuzat

  • Armand Mero

Korrupsioni, Kryeministri Berisha: Të hetohen të gjitha akuzat

Në Shqipëri kryeministri Sali Berisha ftoi sot Prokuorinë dhe institucionet e tjera që të hetojnë me paanësi ndaj cdo akuze që shumica dhe opozita po shkëmbejnë prej disa javësh. Shumica u shpreh kryeministri ka predispozicionin e plotë të mbështesë cdo hetim, jashtë cdo lloj imuniteti tha ai.

Afera me privatizimet, koncesionet lejet e ndërtimit, lidhje me mafien, pengje të korrupsionit, miliona euro që përfundojnë në xhepa politikanësh. Këto terma prej javësh po përdoren me një frekuencë të shpeshtuar nga podiumet politike ku palët gjuajnë njëra tjetrën me akuza të përditshme. Sot kryeministri Sali Berisha në mbledhjen e grupit të tij parlamentar deklaroi se institucionet duhet të hapin hetime për cdo akuzë: "Unë, në emër të mazhorancës, dua të ftoj Prokurorinë e Përgjithshme, Inspektoratin e Lartë të Kontrollit të Deklarimit të Pasurive, Drejtorinë e Luftës Kundër Krimit të Organizuar dhe Drejtorinë e Luftës Kundër Pastrimit të Parave që të hetojnë me paanësi të plotë çdo akuzë të bërë. Unë dua t’i garantoj se shumica ka predispozitën e plotë për të mbështetur çdo hetim, të cilësdo natyrë të tyre, jashtë çdo lloj imuniteti".

Sipas kryeministrit Berisha, ndërhyrja e institucioneve është e nevojshme për të dëshmuar se Shqipëria është një vend serioz. "Unë besoj se çdo institucion do të përmbushë detyrimet e tij ligjore dhe do tu dëshmojë shqiptarëve se Shqipëria është një vend serioz dhe se gjithçka analizohet në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e këtij vendi".

Ne si mazhorancë qëndrojmë tërësisht të hapur dhe mirëpresim çdo hap që do të ndërmerret ndaj secilit rast për të nxjerr të vërtetën ashtu siç është, duke zbatuar ligjet e vendit.

Kryeministri tha se shpresonte që edhe opozita të shprehte të njejtin vullnet. Socialistët që kanë ndërmarrë një fushatë denoncimesh mbi ato që i konsiderojnë si afert korruptive të shumicës, kanë deklaruar se do të dorëzojnë gjithshka në prokurori pa fshehur skepticizmin e tyre ndaj këtij institucioni: "Kapitujt e transparencës që ne po publikojmë, një grup ekspertësh ligjor është ngarkuar t’i kthejë në dosje të mirëfillta e të gatshme për prokuorinë që shpresoj të vihet më në fund në lëvizje", tha pak dite me pare kryetari socialist Edi Rama


Pak javë më parë edhe presidenti Bamir Topi kërkoi që institucionet e Drejtësisë të mos bëjnë “rolin e spektatorit”

Në këtë luftë politike akuzash prokuroria deri më tani duket se ka ruajtur ekuilibër mes palëve. Dy janë hetimet e nisura prej saj, njëra e bërë nga shumica e që akuzon kryetarin e bashkisë Edi Rama dhe tjetra e bërë nga opozita e që akuzon ministrinë e ekonomisë. Pak ditë më parë ndërkohë kryeprokuorja e përgjithshme Ina Rama diskutoi për këto probleme edhe me drejtorin e shërbimeve sekrete dhe atë të Isnpektoriatit të pasurive në një mbledhje të përbashkët mes tyre.