Koreja e Veriut ka njoftuar se ka bërë përparim të madh në programin e saj bërthamor, një javë pas bombardimit të një ishulli jugkorean ku pati edhe të vdekur.
Media shtetërore e Koresë së Veriut tha sot se vendi ka një uzinë të re për pasurimin e uraniumit, të pajisur me mijëra centrifuga funksionale ndërsa një reaktor me ujë të lehtë është duke u ndërtuar. Ata thonë se të dy komplekset janë përcaktuar për përdorim paqësor të energjisë.
Për herë të parë, Koreja e Veriut njoftoi për projektet gjatë vizitës së një shkencëtari amerikan më herët këtë muaj. Ekspertët thonë se impianti për pasurimin e uraniumit mund të shërbejë si një vegël tjetër për Korenë e Veriut për të prodhuar armë bërthamore përveç programit tashmë të ditur të armëve me pluton.
Deklaratat e Koresë së Veriut për komplekset e reja bërthamore nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur.
Disa analistë thonë se njoftimet e fundit të Koresë së Veriut për programin bërthamor dhe bombardimi i ishullit të Jongpjongut kanë për qëllim t’u bëjnë trysni fuqive rajonale të rifillojnë bisedimet për t’i dhënë ndihmë Phjonianit, me ç’rast ai do t’i jepte fund programit të armëve bërthamore.