Kompania finlandeze prodhon proteinë nga “ajri i holluar”

Një kompani e re nga sektori i teknologjisë ushqimore në Finlandë thotë se është duke prodhuar një proteinë të re, të pasur me veti ushqyese “nga ajri i holluar”. “Solar Foods” me bazë në Helsinki thotë se proteina e re mund të pakësojë ndikimin në mjedis të industrisë ushqimore, që përbën mbi një të tretën e emetimeve globale të gazrave që shkaktojnë efektin serrë.

Your browser doesn’t support HTML5

Kompania finlandeze prodhon proteinë nga “ajri i holluar”

A mund të jetë kjo ferma e së ardhmes?

Në një fabrikë në periferi të Helsinkit, një kompani e re e teknologjisë ushqimore “Solar Foods” po prodhon një proteinë “nga ajri i holluar”.

Ajo që prodhuesit e quajnë “Solein”, rritet në një rezervuar fermentimi, përmes një mikrobi të vetëm.

Në këtë proces nevojitet dioksid karboni, i cili përftohet nga ajri dhe hidrogjen që ndahet nga uji përmes procesin së elektrolizës.

“Ne ofrojmë kushtet për rritjen e qelizës, përmes teknologjisë që quhet fermentim i gazit. Mund të krahasohet me procesin e prodhimit të verës ose birrës. Mikrobi ynë nuk ha me sheqer, por duhet hidrogjen dhe dioksid karboni, që ne i fusim në formë gazrash në fermentues”, thotë Pasi Vainikka, themelues i kompanisë “Solar Foods”.

Sipas një studimi të publikuar në revistën “Nature Food”, sistemet botërore të ushqimit janë përgjegjëse për më shumë se një të tretën e emetimeve në nivel global të gazrave që shkaktojnë efektin serrë.

Nga shfrytëzimi i tokës dhe prodhimi bujqësor, tek paketimi dhe menaxhimi i mbetjeve, emetimet vjetore nga sistemi i ushqimit vlerësohen të jenë 18 miliardë ton dioksid karboni, apo rreth 34 për qind të vlerës globale.

Sipas Kombeve të Bashkuara, pritet që kërkesa për ushqim të rritet me 60 deri 100 për qind, pasi parashikohet shtim i popullsisë me mbi 9.6 miliardë njerëz deri më 2050.

“Problemi i sistemit aktual të ushqimit është se një e treta e ndikimit mbi klimën është për shkak të veprimit njerëzor, për shkak të asaj që hamë dhe rreth 80 për qind e kësaj vjen nga shumimi i kafshëve. Prandaj, në masë të madhe, duhet të heqim kafshët nga sistemi ynë i furnizimit me ushqim”, thotë zoti Vainikka.

Kompania thotë se procesi i fermentimit të proteinës së tyre është 20 herë më efikas krahasuar me fotosintezën që ndihmon në rritjen e të korrave dhe 200 herë më shumë sesa prodhimi i mishit.

“Nëse marrin parasysh vetëm objektin aktual të fermentimit, neve na duhen rreth 20 mijë herë më pak tokë krahasuar me bimët fotosintentike, për të prodhuar një sasi të njëjtë të proteinës”, thotë zoti Vainikka.

Ashtu sikur furnizuesit tjerë të proteinës, “Solein” nuk ka shije të fortë dhe të dallueshme.

“Është shumë neutrale. Deri diku është si një ekstrakt majaje. Ngjyrën e ka të verdhë, të ngjashme me atë të karrotës, madje dhe shijen”, thotë Juha Pekka Pitkanen, shef i teknologjisë në Solar Foods.

Në këtë kuzhinë teknologjie, prodhuesit kanë filluar të krijojnë pjata të ndryshme me proteinën e re.

“Mund të shoqërojë produkte të ëmbla si akullore, kosi ose fruta të shtrydhura, e deri tek zëvendësimi i prodhimeve të mishit”, shpjegon zoti Pitkanen.

Solar Foods së fundmi ishte ndër fituesit e një sfide ushqimore të agjencisë hapësinore NASA, ku nga garuesit kërkohej të krijonin teknologji të reja ushqimore ose sisteme të reja ushqimi që kërkojnë shumë pak burime.

Kompania finlandeze do të kërkojë miratimin e rregullatorëve të ushqimit në Bashkimin Evropian dhe Mbretërinë e Bashkuar.

Punimet për fabrikën e madhe të Solar Foods filluan në vjeshtën e vitit 2021. Ajo pritet ta nisë veprimtarinë e saj në gjysmën e parë të vitit 2023 dhe brenda një viti pritet të prodhohen katër milionë racione me proteinë “Solein”.