Komisioni i jashtëm i Parlamentit Evropian diskutoi sot mbi procesin e zgjedhjeve të 8 majit në Shqipëri dhe situatën e krijuar.
Në zgjedhjet e 8 majit një delegacion i parlamentit europian vëzhgoi nga afër ditën e votimit.
Eduard Kukan, kreu i delegacionit për marrëdhëniet me vendet e Evropës juglindore, i cili ishte në Shqipëri për të vëzhguar zgjedhjet, tha sot se përkeqësimi i situatës atje tregoi edhe një herë problemet e proceseve ne Shqiperi: paaftësinë e klasës politike për të dialoguar dhe për të gjetur zgjidhje konsensuale.
Këto zgjedhje sipas tij duhet të kishin dëshmuar pjekurinë e klasës politike për të zhvilluar zgjedhje sipas standarteve, por ai tha se druhej se këto zgjedhje nuk do ta ndihmojnë Shqipërinë për të kaluar ngërcin politik.
Në të gjitha diskutimet që pati u vu re shqetësimi mbi pasojat që situata e krijuar mund të ketë mbi integrimin europian të vendit.
Zoti Kukan kërkoi që parlamenti europian të flasë me një zë të vetëm, të koordinuar me atë të Komisionit Evropian dhe Këshillit Evropian.