Një komision i pavarur qeveritar në SHBA tha të hënën se financimi i qeverisë amerikane në sferën e inteligjencës artificiale ka mbetur prapa dhe se vendit i duhet të investojë në kërkime, të trajnojë një forcë pune të gatshme për inteligjencën artificiale dhe ta zbatojë këtë teknologji në misionet e sigurise kombëtare.
Komisioni i Sigurisë Kombëtare për Inteligjencën Artificiale (NSCAI) ngriti shqetësime për përparimet e arritura nga Kina në këtë fushë. Komisioni gjithashtu tha se qeveria e SHBA ende përballet me një punë të madhe para se të mund ta shndërrojë inteligjencën artificiale nga "një teknologji e re premtuese në një teknologji të pjekur, të integruar në misionet bazë të sigurisë kombëtare."
Komisioni mendon se një përpjekje e përbashkët për inteligjencën artificiale në fushën e sigurisë kombëtare është e rëndësishme, tha për gazetarët Robert Work, nënkryetar i komisionit dhe ish-sekretar i mbrojtjes. Komisioni ka folur me Japoninë, Kanadanë, Mbretërinë e Bashkuar, Australinë dhe Bashkimin Evropian, tha ai.
Kina po investon më shumë se Shtetet e Bashkuara në inteligjencë artificiale, thuhet në raportin, i cili i referohet vendit aziatik më shumë se 50 herë.
"Kina përfiton nga hapja e shoqërisë amerikane në aspekte të shumta – herë në mënyrë të ligjshme e herë jo - për të përvetësuar njohuritë e inteligjencës artificiale," thotë raporti, i cili publikohet në një kohë tensionesh të rritura midis dy vendeve.
Një zëdhënëse e ambasadës së Kinës në Uashington nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për koment.
"Kina është përpara në dy fusha. Njëra është survejimi me anë të njohjes së fytyrës. Tjetra është në teknologjinë financiare. Kjo nuk do të thotë se ata janë përpara përgjithësisht në inteligjencën artificiale,” tha Eric Schmidt, kryetar i komisionit dhe njëri nga disa prej drejtuesve të industrisë në komision.
Nga një sondazh del se Kina është një "ndjekëse e shpejtë" por "shumica e zbulimeve origjinale dhe më të mirat prej tyre realizohen në Perëndim,” tha zoti Schmidt, këshilltar teknik i firmës Alfabet Inc, pararendëse e kompanisë Google, si dhe ish kreu ekzekutiv i saj.