KLD planizon transferimet e gjyqtarëve

Përfaqësuesit e lartë të drejtësisë thanë se kjo bëhet me qëllim që të rritet cilësia e gjykimit dhe e punës në gjykata.
Këshilli i Lartë i Drejtësisë miratoi sot disa rregulla të transferimit të gjyqtarëve nga nga një qytet në tjetrin, ndërsa pritet të rishikojë pas pak ditësh gjithë emërimet e gjyqtarëve për të barazuar mbingarkesën e punës që kanë disa gjykata në vend.

http://www.youtube.com/embed/evU3vOa9gL8Ministri i drejtësisë, Eduard Halimi, njoftoi Këshillin e Lartë të Drejtësisë se sapo ka përfunduar një projekt për rivendosjen e gjyqtarëve në të gjithë territorin sipas çdo gjykate dhe sipas nevojave të mbingarkesës.

“Në gjykatën e Tiranës sot janë 70 gjyqtarë dhe një gjyqtar ka 300 dosje, ndërsa në gjykatën e Gjirokastrës janë 16 gjyqtarë dhe një gjyqtar ka 30 dosje. Në dhënien e drejtësisë kjo ka bërë qytetarit do t’i duhen vite për të mbaruar çështjen, ndërsa në gjykatën e Gjirokastrës sigurisht e mbaron më shpejt” - tha ai.

Ky riorganizim synon, sipas zotit Halimi, të japë një tablo realiste të emërimeve në sistemin e drejtësisë deri në vitin 2015. “Ky projekt synon të rritë efikasitetin e sistemit gjyqësor, të ulë numrin e gjyqtarëve në gjykatat e vogla që kanë më pak çështje dhe të rritë numrin e gjyqtarëve në gjykatat që kanë ngarkesë më të madhe. Kjo është në të njëjtin trend që ecën sot reforma edhe në gjithë vendet e Bashkimit Europian” - tha zoti Halimi.

KLD-ja diskutoi për disa orë rregulloren e re të transferimeve, pasi deri tani, sipas disa folësve, kriteret e lëvizjeve nuk kanë ekzistuar. Përfaqësuesit e lartë të drejtësisë thanë se kjo bëhet me qëllim që të rritet cilësia e gjykimit dhe e punës në gjykata dhe të shmangen abuzimet me shpërngulje të pamotivuara, që dëmtojnë karrierat e gjyqtarëve.