Ka patur shumë debat dhe shqetësim ndër mësuesit amerikanë, se shkollat po neglizhojnë mësimdhënien për të drejtat dhe detyrimet e shtetasve. Ish-anëtarja e Gjykatës së Lartë, Sandra Day O’Connor po përdor një mënyre të re mësimdhënieje nëpërmjet lojërave kompjuterike.
Fytyrat e nxënësve të klasës së gjashtë tregojnë përqëndrimin e tyre, ndërsa mësojnë duke u argëtuar. Ata po luajnë një videolojë të quajtur “Fito Shtëpinë e Bardhë”.
Nxënësit marrin rolin e kandidatëve imagjinarë për president dhe mësojnë se si të konkurrojnë në mënyrë të civilizuar, duke trajtuar tema të ditës, si kontrolli i armëve, apo emigracioni. Kjo lojë është pjesë e një projekti edukativ të bazuar në internet, për të rigjallëruar mësimdhënien e të drejtës qytetare. Projekti i-Civics u krijua në vitin 2010 dhe ishte ide e Gjykatësas Sandra Day O’Connor.
“Projekti i-Civics ka qenë një mënyrë efikase për angazhimin e të rinjve dhe mendimin e tyre kritik.”
Këto lojëra edukative përmbledhin të gjitha degët e qeverisjes, si dhe Kushtetutën, ato ofrojnë mjete dixhitale dhe plane mësimore për 70 mijë mësues dhe 3 milionë nxënës në të gjithë SHBA-në.
“Nxënësit përgatiten për botën reale dhe se si të prezantohen, nëse p.sh. duan të kandidojnë për president, ose të marrin pjesë në debatet shkollore,” thotë Jayla, nxënëse në klasë të gjashtë.
“Në këtë lojë duhet të bësh zgjedhje të zgjuara dhe të fitosh mbështetjen e sa më shumë shteteve për t’u bërë president i Shteteve të Bashkuara,” thotë Kayla, nxënëse në klasë të gjashtë.
Ariel Bosworth jep mësim lëndën e shkencave sociale në klasën gjashtë dhe të tetë në shkollën “Fli Carter”.
“Kam shansin t’u tregoj se zëri i tyre ka rëndësi. Loja, programi dhe leksionet u tregojnë nxënësve se sa i rëndësishëm është zëri i tyre dhe pse duhet të kenë angazhim qytetar.”
Për çdo lojë, ka një plan mësimi dhe simulimi që i njeh nxënësit me të gjitha aspektet e qeverisjes, politikës dhe ekonomisë në nivel kombëtar dhe lokal. Por, është mësuesi ai që bën ndryshimin.
“Cilësia e një programi në internet varet nga mësuesi që e drejton dhe aftësia e tij për t’u lidhur me nxënësit. Nëse mësuesi udhëheq siç duhet, ata janë më të angazhuar dhe bëjnë pyetje,” thotë Dani McPartlin, i Institutit "Udhëheqësit e Rinj".
Sipas projektit iCivics, 50% e mësuesve të shkollave 8-vjeçare dhe 25% e shkollave të mesme përdorin programin për mësimdhënie të historisë dhe qeverisjes, duke u ofruar shanse të barabarta nxënësve pavarësisht nga raca, gjinia dhe statusi i tyre social dhe ekonomik i ndryshëm.