Boston, një kishë shqiptare përfshihet nga zjarri

Albanian church boston

Një kishë historike e shqiptarëve të Bostonit u përfshi të mërkurën nga flakët. Kisha ortodokse e Shën Gjon Pagëzorit ndodhet në Broadway të Bostonit jugor.



Zjarri filloi pak pas orës 9 të mëngjesit dhe rreth orës 13:30 flakët ishin shuar por zjarrfikësit thanë se brenda kishës ende kishte vatra të ndezura. Askush nuk ndodhej në ndërtesë kur shpërtheu zjarri.

"Është tepër e trishtueshme. Prindërit e mij janë martuar këtu," thotë Cindy Vasil Brown.

Tetë zjarrfikës morën plagë të lehta, thanë zyrtarët. Zjarrfikësit u urdhëruan të largoheshin sapo disa pjesë të tavanit të brendshëm filluan të shemben. Dy prej tyre u trajtuan për dëmtime si pasojë e tymit dhe e djegieve. Ndërtesat aty pranë u evakuuan si masë mbrojtjeje.

Kjo kishë shqiptare është ndërtuar në vitin 1824. Në Bostonin jugor ka disa kisha ortodokse shqiptare, më e madhja prej të cilave është ajo e Shën Gjergjit.