KFOR-i: Gjendja aktuale në veri të Kosovës e qetë, por e tensionuar

KFOR-i: Gjendja aktuale në veri të Kosovës e qetë, por e tensionuar

Forcat paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja, thanë se me urdhër të komandantit të KFOR-it, gjeneralit Erhard Buhler, kanë larguar sot në orët e mëngjesit tri bllokada rrugën kryesore ndërmjet Mitrovicës dhe Zubin Potokut. Operacioni thuhet është kryer pa ndonjë rezistencë. Në një njoftim të forcave paqeruajtëse thuhet se “meqë kishte rrezik nga snajperistët kriminalë dhe rezistencës së armatosur nga elementet radikale të pajisura me pushkë, pistoleta ose eksplozivë, një forcë e mjaftueshme e këmbësorisë së blinduar ishte në atë zonë, e gatshme për tu përgjigjur në mënyrë të duhur çfarëdo sfide që do të mund të ishte paraqitur”.

KFOR-i, nëpërmjet kësaj komunikate u ka bërë thirrje “të gjithë qytetarëve paqedashës në Zubin Potok, që t’iu rezistojnë elementeve radikale dhe kriminale dhe të heqin dorë nga dy bllokadat e fundit të rrugëve, të cilat ende pengojnë komunikacionin në qytet. Këto bllokada të panevojshme izolojnë njerëzit e ndershëm nga jashtë. Për shkak të veprimeve të radikalëve, autoritetet lokale të komunës dhe radikalët ndalojnë transportimin në qytet të furnizimeve me ushqim dhe barëra. Për çdo pasojë ata do të mbahen përgjegjës”.

KFOR-i e vlerëson gjendje aktuale në veri të Kosovës të qetë, por të tensionuar. Pjesëtarët e KFOR-it vazhdojnë të qëndrojnë në vendkalimet kufitare me Serbinë ku tashmë lejohet kalimi i makinave të udhëtarëve dhe autobusëve të cilët i nënshtrohen kontrollit të hollësishëm.

Automjetet e rënda janë ende të ndaluara për shkak të masave të sigurisë. Ekziston ende kërcënim që radikalët t’i sulmojnë kalimet kufitare, siç kanë bërë me portën numër 1javën e kaluar. Komandanti i KFOR-it pret që qytetarët në të gjitha pjesët e Kosovës të qëndrojnë të qetë dhe paqësor, si dhe të mbështeten tek masat e ndërmarra nga KFOR-i dhe EULEX-i dhe tek zgjidhjet politike për situatën e tanishme”, thuhet në njoftimin e forcave paqeruajtëse.

Vazhdon bllokada në rrugët që çojnë në vendkalimet kufitare

Dy nga rrugët kryesore që çojnë në vendkalimet kufitare me Serbinë, vazhdojnë të mbahen të mbyllura nga grupe serbësh që nuk pajtohen me vendosjen e policisë dhe doganierëve të Kosovë në ato vendkalime. Shefi i delegacionit të Serbisë për bisedime me Kosovën, Borko Stefanoviç, ka paralajmëruar siç thuhet “vazhdimin e bisedimeve për "statusin e vendkalimeve në veri". Ai ka hyrë në Kosovë nëpërmjet rrugëve dytësore, meqë KFOR-i nuk i kishte lejuar atij dhe ministrit serb për Kosovën në qeverinë e Serbisë Goran Bogdanoviç, hyrjen në Kosovë nga vendkalimi kufitar në Jarinë, i cili u dogj ditë më parë nga grupe serbësh si reagim ndaj operacionit të njësive të posaçme të policisë së Kosovës për vënien nën kontroll të dy vendkalimeve kufitare me Serbinë. Hyrja e zyrtarëve serbë në Kosovë është cilësuar e jashtëligjshme nga autoritetet e Prishtinës, ndërsa zyrtarë të KFOR-it thanë se nuk mund të takohen me ata që hyjnë “ilegalisht në Kosovë”.

Shefi i delegacionit serb, Borko Stefanoviç, tha se qëndrimi i tij në Kosovë nuk paraqet provokim por është përojkeje për përfundimin e krizës dhe fillimin e dialogut.

Përfaqësuesit politikë serbë kërkojnë kthimin në gjendjen e mëparshme në vendkalime kufitare para ndërhyrjes së njësive të posaçme të policisë së Kosovës, një kërkesë që është hedhur poshtë edhe sot nga autoritetet e Prishtinës.

Jahjaga & Thaçi: Kufijtë e Kosovës – të panegociueshëm

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga dhe kryeministri Hashim Thaçi thanë sot se kontrolli i kufijve është çështje e Kosovës dhe nuk mund të negociohet. Ata i bënë këto komente gjatë një vizite në bazën e njësisë së posaçme të policisë, një pjesëtar i të cilës u vra javën e kaluara gjatë një sulmi mbi policinë në afërsi të Zubin Potokut, një komunë me shumicë serbe ne veri.

Presidentja Jahjaga tha se Kosova ”është më e vendosur se kurrë dhe në këtë e ka edhe përkrahjen e miqve ndërkombëtarë, që në të gjithë territorin e saj ta zbatojë rendin dhe ligjin dhe që njëherë e përgjithmonë të luftojë krimin e organizuar dhe të ndalë kontrabandën. Kontrolli i kufijve është e drejtë sovrane e Republikës së Kosovës dhe ne këtë të drejtë do ta zbatojmë vendosmërisht. Për këtë nuk bisedohet me askënd por bëhet bashkëpunimi. Në këtë mandat e shoh edhe misionin e KFOR-it dhe të EULEX-it në Kosovë në ruajtjen e paqes dhe të stabilitetit dhe në zbatimin e rendit dhe të ligjit të Republikës së Kosovës, vendit në të cilin shërbejnë me mandate këto misione”.

Ndërsa, kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, tha se nuk mund të ketë kthim prapa. “Që nga 25 korriku, pas 12 vitesh Kosova ka hapur një kapitull të ri, Kosova është ndryshe, që bazohet në respektim të ligjit dhe të sovranitetit të plotë shtetëror në gjithë territorin e vendit. Dhe kthim prapa nuk do të ketë! Nuk do të zmbrapsemi. As de jure dhe as de facto nuk do të ketë ndarje të Kosovës. Për sigurinë e vendit tonë nuk do të bëjmë kompromis me askënd”.

Mblidhet Këshilli i Sigurisë i Kosovës

Këshilli i Sigurisë së Kosovës, është mbledhur sot me dyer të mbyllura për të diskutuar situatën politike dhe të sigurisë në vend, pas operacioneve të qeverisë së Kosovës për vendosjen nën kontroll të vendkalimeve kufitare me Serbinë në veri. Në një komunikatë pas këtij takimi thuhet se “Këshilli i Sigurisë së Kosovës konsideron se veprimet e agjencive shtetërore të sigurisë në veri të vendit, janë plotësisht legjitime dhe në përputhje me kushtetutën dhe ligjet në fuqi”.

Këshilli kërkon nga të gjitha agjencitë e sigurisë që të bashkërendojnë veprimtaritë e tyre si dhe me mekanizmat ndërkombëtarë, që janë ta pranishëm në Kosovë dhe që kanë kompetenca në fushën e sundimit të ligjit. “Ky bashkërendim duhet të bëhet gjithmonë vetëm në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës”, thuhet në njoftim.

Këshilli i Sigurisë, thuhet më tej, “kërkon nga agjencitë shtetërore të sigurisë së Kosovës që ta mbajnë në shkallën më të lartë shkallën e gatishmërisë për çdo nevojë të ndërhyrjes me të gjitha mjetet në dispozicion në rast të cenimit të sovranitetit shtetëror dhe rendit të brendshëm kushtetues të Republikës së Kosovës. Këshilli i Sigurisë së Kosovës kërkon nga të gjitha agjencitë shtetërore dhe nga ministritë relevante të Qeverisë së Kosovës, që të bashkërendohen dhe të ndërmarrin veprimet e domosdoshme që t’u dalin në ndihmë qytetarëve që jetojnë në veri të vendit. Kjo ndihmë, duhet të jetë e përqendruar në sigurimin e nevojave për ushqim dhe medikamente mjekësore, me qëllim të evitimit të çfarëdo krize humanitare atje”.

Këshilli më tek kërkon bashkërendim “për zhbllokimin e rrugëve dhe për të siguruar lëvizjen e lirë për qytetarë dhe mallra. Përderisa, nuk bëhen plotësisht të lira për qarkullim rrugët e bllokuara, duhet të hapen korridore të reja që mundësojnë furnizimin e qytetarëve më artikuj elementarë”, thuhet në njoftim nëpërmjet të cilit u bëhet thirrje qytetarëve “që të bashkëpunojnë ngushtë dhe të kenë besim të plotë në agjencitë shtetërore të sigurisë për vendosjen e rendit dhe ligjit në tërë territorin e Republikës së Kosovës”.

I dërguari i BE-së Robert Cooper fillon misionin e tij në rajon

Njësitë e posaçme të policisë së Kosovës, filluan të hënën e kaluar një operacion për vënien nën kontroll të dy vend kalimeve kufitare në veriun e banuar me shumicë serbe. Operacioni u urdhërua nga qeveria e Kosovës në përpjekje për të zbatuar vendimin për ndalimin e importeve nga Serbia, i cili nuk po zbatohej në atë pjesë të Kosovës ku nuk funksionojnë doganat e vendit.

Operacioni i policisë nuk u mbështet nga zyrtarët e Bashkimit Evropian të cilët thanë se ai u ndërmor pa këshillime paraprake me ta, ndërsa paralajmëruan se fillimi i kësaj jave mund të shënojë përpjekje të reja për rifillimin e bisedimeve ndërmjet të Kosovës dhe Serbisë të cilat qenë shtyrë për në muajin shtator.

Për këtë arsye në Serbi dhe në Kosovë për dy ditë me radhë pritet të qëndrojë diplomati britanik, Robert Cooper, përfaqësues i zyrës së shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton.

Zoti Cooper tashmë është takuar me përfaqësuesit serbë në Rashkë, një komunë jugore e Serbisë, jo fort larg kufirit me Kosovën, ndërsa nesër pritet të zhvillojë takime në Prishtinë.