Forcat paqeruajtëse të NATO-s dhe ato të Misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, mbyllën sot një nga rrugët dytësore në kufirin ndemjet Kosovës dhe Serbisë në veri. Rruga ishte hapur nga banorët serbë të cilët po mbajnë të bllokuara rrugët që çojnë në dy vendkalimet e diskutueshme në shenjë kundërshtimi ndaj vendosjes së doganierëve të Kosovës në ato vendkalime.
Zyrtarë të NATO-s thanë se operacioni është veprim në mbështetje të EULEX-it për parandalimin e shfrytëzimit të paligjshëm të rrugës anësore të hapur në afërsi të vendkalimit kufitar në Jarinë dhe pengimin e kontrabandës. Paqeruajtësit thanë se vendkalimi zyrtar është i hapur, ndërsa u kanë bërë thirrje banorëve serbë që të heqin dorë nga barrikadat e vendosura në rrugët e veriut.
Në një komunikatë për opinion të forcave paqeruajtëse thuhet se “KFOR-i ka të drejtë të largojë barrikadat kur rrethanat të jenë të përshatshme dhe nuk do t’i tolerojë ato përgjithmonë. Qytetarët duhet të qëndrojnë larg bllokadave të rrugëve dhe barrikadave dhe nuk duhet të marrin pjesë në protesta dhe veprimtari të paligjshme”.
Ndërsa, zëvendësshefi i EULEX-it, Andy Sparkes, ka deklaruar sot se “rrugët e paautorizuara i anashkalojnë kontrollet e ligjshme, ndërsa bllokadat rrugore janë të kundërligjshme dhe nuk i ndihmojnë askujt”.
Protestuesit serbë kanë refuzuar zhbllokimin e rrugëve duke ngulur këmbë për largimin e personelit shqiptarë nga vendkalimet kufitare.
Operacioni i sotëm ndodhë një ditë pasi që Komisioni Evropian propozoi që Serbisë t’i jepet statusi i vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke kushtëzuar ndërkaq fillimin e bisedimeve për anëtarësim me përmirësimin e marrëdhënieve me Kosovën, pavarësia e së cilës kundërshtohet nga Beogradi.