Kerry për luftën civile në Siri

Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry, thotë se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre nuk po kërkojnë që të kontrollojnë luftën civile të Sirisë, nëse ndërmarrin goditjen ajrore të pritshme për të mos lejuar regjimin e Presidentit Bashar al-Assad që të përdorë përsëri gaz helmues. Por ai shtoi se sulmi kimik i 21 gushtit për të cilin akuzohet qeveria siriane, kishte shkelur “një vijë të kuqe ndërkombëtare”. Ndërkohë sekretari i Jashtëm britanik William Hague shprehu besimin për nevojën e një përgjigjeje të fortë ndaj përdorimit të armëve kimike në Siri, edhe pse parlamenti britanik ka votuar kundër pjesëmarrjes në veprime ushtarake. .

Sekretari i Shtetit Kerry, i bëri komentet pasi u takua sot me homologët e shteteve të Lidhjes Arabe në Paris për të diskutuar krizën në Siri. Ai tha se administrate e Presidentit Obama po i shpërndan videot që tregojnë sulmin, për të bindur amerikanët dhe Kongresin që të mbështesin ndërhyrjen ushtarake.

"Ato video bëjnë të qartë se nuk bëhet fjalë për diçka abstrakte, diçka për të cilën njoftohet në lajme, që e sheh dhe pastaj e harron duke thënë nuk ka rëndësi se ç’po ndodh atje. Ato video ia bëjnë të qartë njerëzve se bëhet fjalë për qenie njerëzore, për fëmijë, prindër që kanë vujatur pasoja në një mënyrë që është e papranueshme për këto, kudo dhe me çdo lloj standardi”.

Zoti Kerry u takua me homologët e tij të Lidhjes Arabe, ndërsa SHBA dhe Franca vazhdojnë përpjekjet për krijimin e një koalicioni ndërkombëtar për të nisur veprime ushtarake kundër regjimit sirian, pas sulmit me armë kimike të 21 gushtit.
Sekretari i Jashtëm britanik William Hague tha gjatë një interviste për rrjetin televiziv BBC se "përdorimi i armëve kimike në shekullin e 21-të është një e keqe ndaj të cilës duhet të reagojmë."

Kryediplomati britanik tha se ai e mbështet sulmin e parashikuar ajror të udhëhequr nga SHBA për të parandaluar një përdorim tjetër të gazit helmues nga regjimi i Presidentit Bashar al-Asad.

“Kjo situatë ka të bëjë me armët kimike, që është një çështje më e madhe se Siria. Dhe ajo për të cilën Shtetet e Bashkuara po flasin, dhe që ne po diskutonim para votimit në parlament, ishte një përgjigje e kufizuar ndaj përdorimit të armëve kimike për të frenuar përdorimin e mëtejshëm të tyre”.

Në Washington, nesër dhe të martën do të mbahen seanca të tjera me dyer të mbyllura lidhur me gjendjen në Siri, ku sekretari Kerry tha se do të marrë pjesë, ndërsa Presidenti Obama do t’i drejtohet publikut amerikan të martën me argumentat për ndërhyrje ushtarake.