KE i ofron Kosovës dialogun për vizat, Serbisë statusin e kandidatit

KE i ofron Kosovës dialogun për vizat, Serbisë statusin e kandidatit

Çështja kryesore e vlerësimeve të këtij viti për përparimin e Kosovës, të përmbledhur në raportin e Komisionit Evropian, është paralajmërimi i fillimit të dialogut për liberalizimin e vizave për Kosovën. Me këtë do t’i jepet fund përjashtimit të Kosovës nga ky proces, meqë qytetarët e saj janë të vetmit që i nënshtrohen regjimit të udhëtimit me viza.

Shefi i zyrës ndërlidhëse të Komisionit Evropian, Khaldoun Sinno tha sot se fillimi i këtij dialogu është zhvillimi më i rëndësishëm.

Fillimi i dialogut është shenjë e qartë se ne kemi vlerësuar përparimet e arritura në fushën e përmbushjes së kritereve për këtë proces” tha zoti Sinno duke nënvizuar ndërkaq se, është herët të thuhet çfarëdo qoftë për kohëzgjatjen e dialogut rreth kësaj çështjeje. Por, ai tha se Bashkimi Evropian është i përkushtuar ndaj Kosovës dhe përveç dialogut për vizat, ka shprehur edhe zotimin për lidhjen e marrëveshjeve tregtare mes Kosovës dhe BE-së.

Por, në fushat tjera Kosova sipas raportit të Komisionit Evropian, ka shënuar përparim të kufizuar dhe përballë saj ndodhen ende shumë sfida.

Sundimi i ligjit, krimi i organizuar dhe korrupsioni mbetet sfida të mëdha. Për këtë arsye Komisioni Evropian propozon që të nisë një dialog të strukturuar me Kosovën mbi këtë çështje”, tha zoti Sinno.

Në raport përfshihen edhe mangësitë në zgjedhjet e stërzgjatura dhe përsëritjen tyre në fillim të këtij viti. Ndërsa mangësi janë nënvizuar edhe në integrimin e pakicave dhe posaçërisht të pakicës serbe.

“Derisa integrimi i serbëve është përmirësuar në jug, tensionet në veri janë shtuar”. Prandaj, tha zoti Sinno “është me rëndësi që Kosova të nisë një agjendë gjithëpërfshirëse për veriun”.

Beogradi – statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE

Çështja e veriut ndërkaq është pjesë e kushteve të vendosura ndaj Serbisë për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Komisioni propozoi sot që asaj t’i jepet statusi i kandidatit, si shpërblim për përparimin në kriteret politike, duke vënë theksin në bashkëpunimin me Gjykatën Ndërkombëtare për krime lufte.

Bashkimi Evropian nuk e ka vënë njohjen e Kosovës si kërkesë zyrtare, por ngulë këmbë që Beogradi duhet të vendosë marrëdhënie të mira fqinjësore me Kosovën. Përparimi në bisedimet me Prishtinën janë vënë si kusht për fillimin e bisedimeve për anëtarësim të Serbisë në Bashkimin Evropian.

Reagimet ndaj raportit të Komisionit Evropian

Ndonëse nesër pritet që raporti edhe zyrtarisht tu dorëzohet autoritete më të lartë të vendit, Ministrja e integrimeve në qeverinë e Kosovës Vlora Citaku e cilësoi raportin si real ndërsa veçoi rëndësinë e paralajmërimit të hapjes së dialogut për liberalizimin e vizave.

Kjo dhe progresi që do të arrihet në kuadër të këtij procesi, paraqet një nga arritjet më të vlefshme të vendit që nga shpallja e pavarësisë”, tha ajo.

Ministrja Citaku e cilësoi raportin si një udhërrëfyes të rëndësishëm për reformat që duhet të përmbushë Kosova në rrugëtimin e saj drejt strukturave euroatlantike.

Raporti paraqet gjendjen reale dhe faktike të zhvillimeve njëvjeçare në vend, duke evidentuar të arriturat dhe sfidat e të gjitha institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës”, tha ministrja Citaku.

Në Beograd ndërkaq reagimet janë nga më të ndryshmet. Pushteti është shprehur i kënaqur duke e vlerësuar statusin e vendit kandidat si një sukses të tij. Presidenti serb Boris Tadiç, citohet të ketë thënë se Beogradi është i gatshëm të vazhdojë bisedimet me Prishtinën që janë vënë si kusht për fillimin e bisedimeve për anëtarësim. Por, ai ka ritheksuar se nuk do të hiqet dorë nga Kosova. Opozita në Serbi ndërkaq e ka cilësuar zhvillimin e sotëm si heqje dorë nga Kosova.

Bisedimet ndërmjet të dyja palëve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian të cilat filluan në mars të këtij vitit, u ndërprenë pas zhvillimeve të fundit në veriun e Kosovës, ku banorët serbë po mbajnë të bllokuara rrugët në kundërshtim të vendosjes së doganave të Kosovës në kufirin verior me Serbinë. Beogradi e quan të pakuptimtë vazhdimin e bisedimeve teknike pa zgjidhjen e situatës në veri, ndërsa Prishtina hedh poshtë mundësinë që të bisedojë me Beogradin për rregullimin e brendshëm të Kosovës.