Kandidati republikan Romney fiton në tri gara

Në Shtetet e Bashkuara, ish-guvernatori i shtetit Masaçusets, Mitt Romney i ka drejtuar tani kritikat ndaj presidentit Barak Obama, pas fitores që arriti dje në zgjedhjet paraprake republikane në tre gara. Ndërkohë votuesit amerikanë kanë filluar të krijojnë një ide se si do të ishte një garë e mundshme Romney-Obama.

Mitt Romney po bën ç’është e mundur që të tingëllojë si njeriu që e ka marrë emërimin e Partisë Republikane.

Votuesit në Washington, Maryland, dhe Wisconsin e çuan zotin Romney më afër objektivit për të siguruar emërimin republikan duke i dhënë tre fitore.

Zoti Romney nuk humbi kohë, por menjëherë i drejtoi kritikat ndaj Presidentit Obama në ekonomi. Ai thotë:

"Në shoqërinë e Barak Obamës që ka në qendër qeverinë, qeverisë i duhet të bëjë më shumë, sepse ekonomia është dënuar për të bërë më pak."

Presidenti Obama ka kaluar në ofensivë, duke kritikuar zotin Romney dhe mbështetjen e tij për buxhetin e propozuar nga republikanët në Kongres.

"Ky është një kalë Troje i maskuar si plan për shkurtimin e deficitit. Është një përpjekje për të imponuar një vizion radikal në vendin tonë."

Fushata e zotit Obama ka filluar gjithashtu të verë në shënjestër Romney-n me reklama fushate për çmimet e benzinës. Zoti Romney nuk u kushtoi atyre rëndësi.

Por gara republikane nuk ka mbaruar. Ish senatori Rick Santorum, rivali kryesor i Romney-t i ka varur shpresat te shteti i tij Pennsylvania...

"Zëri i Pennsylvanisë dhe i gjysmës së popullatës së vendit ende nuk është dëgjuar." - thotë ai

Pra, tani për tani, gara republikane vazhdon.