Venezuela liron amerikanin Josh Holt

Presidenti Donald Trump tha se Venezuela kishte liruar nga burgu shtetasin amerikan Josh Holt. Ai u lirua të shtunën pasi u mbajt për dy vjet në burg pa gjyq.

Pritet që ai të mbërrijë në Uashington së shpejti dhe të niset më pas për në Jutah ku ka familjen.

[[ https://twitter.com/realDonaldTrump/status/1000366478846300165 ]]

Senatori Orrin Hatch, i cili përfaqëson shtetin Jutah në Senat, postoi një koment në Twitter ku thoshte se kishte punuar për lirimin e amerikanit Holt dhe bashkëshortes së tij, Thamy.

https://twitter.com/senorrinhatch/status/1000367541414449154

Senatori Hatch falenderoi edhe kryetarin e Komisionit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë Bob Corker, i cili u takua të premten me Presidentin venezuelian Nicolas Maduro në Karakas, në përpjekje për të siguruar lirimin e amerikanit. Josh Holt mbahej në burg nën akuza për armëmbajtje. Ai thotë se akuzat ishin të sajuara.

26-vjeçari Holt kishte shkuar në Venezuelë për t’u martuar me një grua me të cilën ishte prezantuar në internet. Policia e arrestoi Holt pasi gjeti një pushkë dhe granata gjatë bastisjes së kompleksit të banimit, ku jetonte çifti. Holt i ka hedhur poshtë akuzat.