John Brennan bën betimin si drejtor i CIA-s

John Brennan bëri sot betimin para nënpresidentit Joe Biden si drejtor i Agjencisë Qendrore të Zbulimit, CIA-s, në dhomën Roosvelt të Shtëpisë së Bardhë.

Zoti Brennan ka qenë për shumë vjet zyrtar i CIA-s dhe mbështet përdorimin e avionëve pa pilot për të vrarë të dyshuarit për terrorizëm në vende të huaja.

Senati amerikan e miratoi kandidaturën e tij dje me 63 vota pro dhe 34 kundër dhe pas një procesi të vështirë që u shty mes debateve të ashpra lidhur me përdorimin e avionëve pa pilot.

Republikani Rand Paul kishte kërcënuar ta shtynte votimin për një kohë të pacaktuar lidhur me këtë politikë. Ai foli për 13 orë rresht të mërkurën për të parandaluar votimin. Ai u tërhoq pasi mori një letër nga Prokurori i Përgjithshëm Eric Holder, ku thuhej se presidenti nuk ka autoritetin të përdorë avionët pa pilot për të vrarë ndonjë amerikan që nuk është i angazhuar në luftime në tokën amerikane.