Në Evropë po shtohen shqetësimet pas kapjes së mbi 40 xhihadistët që përpiqeshin të hynin, ose kishin hyrë si refugjatë në kontinentin evropian. 19 nga 43 xhihadistët u kapën në Turqi, por pjesa tjetër mbërritën në Bashkimin Evropian përpara se të identifikoheshin. Zyrtarët ushtarakë turq thanë se gjetën ndër çantat e 34 sirianëve mbi 10 kilogramë eksploziv dhe katër jelekë bomba që mund të përdoreshin për sulme vetëvrasëse. Korrespondenti i shërbimit maqedonas, Jane Bojadzievski, përgatiti këtë vështrim:
Kapja së fundmi e xhihadistëve të infiltruar ushqen më tej frikën e publikut në Evropë për sulme të tjera terroriste. Po shtohet presioni për uljen e hyrjeve të azilkërkuesve, të cilët kërkon t’i radikalizojë grupimi terrorist. Austria ka njoftuar se do të angazhojë trupa shtesë për të patrulluar kufirin dhe për të kontrolluar ata që hyjnë në vend. Ky njoftim vjen ndërkohë që ka kritika të shumta ndaj kufizimeve për numrin e azilkërkuesve.
“Duhet të punojmë së bashku për të ulur fluksin e njerëzve të cilët kanë pak ose aspak shans për azil,” thotë një zyrtar i policisë austriake
Nëse do të vazhdojë funksionimi i Shengenit si një zonë me kufij të hapur brenda BE-së, atëherë kufijtë e jashtëm të Shengenit duhet të kontrollohen me imtësi, thotë Janusz Bugajski, i Qendrës për Politikën Evropiane.
“Me pak fjalë, mbetet në duart e qeverisë greke që, me asistencë evropiane, të kontrollojë refugjatët që hyjnë në vend.”
Kriza e refugjatëve po shton tensionet ndër vendet që përshkohen nga korridori i emigrantëve, si p.sh. Maqedonia dhe Greqia. Autoritetet e të dyja vendeve thonë se disa refugjatë kanë përdorur pasaporta false. Ministri i Mbrojtjes i Maqedonisë, Zoran Jolevski thotë se kjo gjë duhet të ndalohet.
“Është e rëndësishme t’u lejojmë lëvizjen këtyre njerëzve që kanë nevojë për mbrojtje, por duhet edhe të jemi të ndërgjegjshëm se ndër ta ka edhe njerëz që nuk kanë qëllime të mira.”
Greqia është kriktikuar për paaftësinë e kontrollit të kufirit të saj detar me Turqinë, si dhe për lejimin e refugjatëve të kalojnë përmes vendit me pak dokumentacion. Sipas zoti Bugajski, duhet treguar vendosmëri dhe mesazhi duhet të bëhet i qartë.
“Thjesht nuk do t’u lejohet ardhja nëse nuk kualifikohen sipas disa kritereve të rrepta, pasi Evropa nuk mundet të përballojë kaq shumë refugjatë çdo vit.”
Presioni ndaj Greqisë po rritet. Komisioni Evropian miratoi një raport me rekomandime për mangësitë në kontrollimin e kufijve të jashtëm. Disa vende kërkojnë nxjerrjen e Greqisë nga zona Shengen, një masë që nuk mbështetet prej Presidentit të Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker.